Ekstradohet në Shqipëri kimisti kolumbian i drogës në Frakull, raporton A2 CNN. Shtetasi kolumbian Sammir Rosales Rodriguez është ekstraduar nga Kolumbia në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin me 14 vite burg të dhënë nga Gjykata e Posaçme, pas hetimeve të zhvilluara nga SPAK.
Më 30 qershor të këtij viti, Gjykata e Posaçme vendosi të dënojë me 14 vite heqje lirie kolumbianin 49-vjeçar, i akuzuar si kimisti i grupit kriminal që trafikoi nga Amerika Latine në Shqipëri kokainë të tretur në pleh organik artificial, u shpall fajtor për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.
Samir Rosales Rodrigues u identifikua nga SPAK-u si një nga anëtarët e grupit kriminal të përfshirë në trafikimin e rreth 485 kilogramëve kokainë kolumbiane. Sasia e drogës, e tretur në pleh organik artificial, u nis nga porti i Buenaventurës në Kolumbi, me transit në portin e Pireut në Athinë e më pas në portin e Tivarit, në Mal të Zi. Nga ky port, ngarkesa u transportua me rrugë tokësore drejt Frakullës së Madhe, në Fier, shkruan A2CNN, transmeton Klankosova.tv.
Dy javë para se ndaj tij të lëshohej një urdhër-arrest, në kuadër të një veprimi hetimor të SPAK-ut, një patrullë policie ndaloi automjetin ku ai u identifikua me pasaportën e tij kolumbiane, me identitetin e vërtetë. SPAK-u nuk procedoi me arrestimin e tij për të mos dekonspiruar hetimin, por pas lëshimit të urdhër-arrestit ai nuk u gjet më nga policia.
Dhjetë prej të bashkëpandehurve shqiptarë të Rodrigues janë gjykuar veçmas në dy shkallët e Gjykatës së Posaçme, ku janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me masa që variojnë nga 8 deri në 11 vite burg








