Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar rolin e ushtrues së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiut në zhvillimet e fundit politike.
Ai në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova duke iu referuar ftesës për takime të Haxhiut tha se ajo nuk është presidente e zgjedhur dhe për këtë arsye nuk mund të ketë rol unifikues mbi spektrin politik.
“Albulena Haxhiu zyrtarisht e ka shef Albin Kurtin në parti, sepse ajo nuk është presidente e zgjedhur, e cila është tërhequr prej aktiviteteve partiake dhe pozitave partiake. Prandaj, cila është logjika me të thirrë, herë shefi, herë shërbëtorët e shefit, hajde të takohemi?”, ka deklaruar Ramadani.
Ai ka theksuar se Haxhiu nuk ka qenë asnjëherë presidente e zgjedhur dhe, sipas tij, nuk ka një mandat për të ushtruar një rol unifikues të spektrit politik.
Ramadani është ndalur edhe te letra e kryetarit të ALeancës Ardian Gjini, duke thënë se kjo situatë mund të jetë pjesë e një gare politike apo një alibi për ta çuar vendin në zgjedhje.
“Duket që Vetëvendosje dhe shefi i Albulenës, zoti Kurti, e ka vendosur që ta çojë vendin në zgjedhje dhe është duke kërkuar në vazhdimësi situata ku mund të propagandojë se të tjerët janë fajtorë”, ka thënë ai.
Sipas deputetit të Aleancës, përgjegjësia për bllokimin e institucioneve të shtetit është e dukshme dhe, sipas tij, ajo i atribuohet Vetëvendosjes.









