Rasti i Vezir Hazirajt, flet prokurorja Saide Gashi

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Vezir Hazirajt, i dyshuar për vrasje të mbetur në tentativë, mbajtje të paautorizuar të armëve dhe kanosje.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore, prokurorja Saide Gashi ka bërë të ditur se Prokuroria ka paraqitur para gjykatës arsyet dhe bazat mbi të cilat është mbështetur kërkesa për paraburgim.

“Prokuroria sapo e përfundoi seancën dëgjimore të lidhur me caktimin e masës apo vendosjen lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin. Kemi dhënë shkaqet, arsyet për krejt bazat e kërkesës dhe tani presim vendimin e gjykatës, edhe pse mbrojtja nuk e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për masën e caktimit”, ka thënë Gashi.

Sipas Prokurorisë, më 7 gusht, në fshatin Orroberdë të Istogut, pas një mosmarrëveshjeje, Haziraj dyshohet se ka shtënë me një pushkë gjuetie të modifikuar në drejtim të Dardan Haxhijajt, duke e plagosur në kofshë dhe duke i shkaktuar lëndime të rrezikshme për jetën.

Pas ngjarjes, i dyshuari dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka qëndruar në arrati deri më 15 gusht. Gjatë kësaj periudhe, ai dyshohet se ka publikuar edhe mesazhe kërcënuese ndaj zyrtarëve policorë.

Tashmë pritet vendimi i Gjykatës lidhur me kërkesën për caktimin e paraburgimit.