Kajtazi paralajmëron padi për deputetin e VV-së të dënuar me burgim për deklaratat në televizion

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, i dënuar me një vjet e gjysmë burgim nga shkalla e parë e Gjykatës Themelore në Prishtinë për nxitje të urrejtjes, rrejshëm ka deklaruar të mërkurën në emisionin Konfront të KTV-së se gazetarët janë paguar nga qeveritë e mëparshme.

Azemi rrejshëm ka përmendur emrat e Vehbi Kajtazit dhe Berat Buzhalës në një debat me gazetarët Shkelzen Dakaj dhe Lavdim Hamidi.

“A muj me ditë në cilin medium je?” ka shumë rëndësi këtu, e dimë çfarë qasje keni pasur. Jeni mësu me qeveri që ua ka mbajt këto portalet infokusi, ‘çinfokusi e këto… E mbështes me fakte vetëm këtë që po e them”, deklaroi rrejshëm deputeti i dënuar me burgim i VV-së teksa përmendi emra të tjerë

“Vehbi Kajtazi, Berat Buzhala…”, ka thënë rrejshëm deputeti i VV-së.

Gazetari Kajtazi ka paralajmëruar se deputeti Azemi do të përballet me gjykatën për deklaratën në një televizion kombëtar.

“Deputet i denuar ne shkallen e pare nga Gjykata Themelore ne Prishtine me nje vjet e gjysme burgim, te siguroj se do te japesh pergjegjesi para gjykates. Te siguroj se vertet do te marr para, por prej teje si dëmshpërblim”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Komisionin e Pavarur për Media emisionin e së mërkurës.

“Perveç kesaj, ky emision do te dergohet edhe ne KPM nga ana ime. Ta shohim si eshte e mundur qe ne nje televizion me frekuence kombetare t’i jepet hapesire nje te denuari per veper penale te rrej ne ne emisionin kryesor. T’i jepet hapesire per me rrejte dikujt qe kercenon gjyqtar e prokuror. Te vazhdoje te rrej, ndonese kapet ne tren nga dy koleget, Shkelzen H Dakaj dhe Lavdim Hamidi”, ka thënë Kajtazi.

Ai ka shtuar se KTV-ja ishte e obliguar që ta telefononte pas deklaratës së rrejshme të deputetit të dënuar me burgim të VV-së.

“KTV,  televizion me frekuence kombetare eshte e obliguar te me telefonine te pakten per ta marre nje qendrim nga une. Deri tash nuk e ka bere nje gje te tille, ndonese kane kaluar rreth 18 ore”, ka thënë ai.