Gazetari e analisti, Vehbi Kajtazi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka dhënë prova të mjaftueshme se është duke synuar rrënimin e rendit kushtetues në Kosovë.
I ftuar në Rubikon, Kajtazi ka thënë se veprimet e Kurtit të hënën në Kuvendin e Kosovës kanë qenë përpjekje të radhës së tij për rrënimin e rendit kushtetues.
“Është alarmante se si Kurti, kryeministër në detyrë, po provon ta rrënojë rendin kushtetues. Ai ka dhënë prova të mjaftueshme, duke e quar në votim zgjedhjen e presidentes pa kuorum se e dëshiron rrënimin e rendit kushtetues. Ka ndodhur një veprim që nuk ka pasoja, por veprimi ka ndodhur. Atë natë Kurti me deputetët e VV-së kanë provuar me zgjedh president në mënyrë jo kushtetuese. Por, u frikësuan nga reagimi publik, nga paralajmërimi i opozitarëve, veçanërisht nga Daut Haradinaj për të dalë në rrugë, dhe nga ekspozimi i këtij kriminaliteti kushtetues që ndodhi nga Naim Bardiqi”, deklaroi ai.
Kajtazi tha mes të tjerash se Kurti dhe Lista Serbe kanë qëllim të njëjta, por ata i dallon vetëm mënyra e veprimit.
“Ky rrezik është rrënimi i rendit kushtetues, të cilin Albin Kurti synon, punon, provon me bë për çdo ditë siç provon Lista Serbe në mënyrë tjetër. Do të thotë vetëm mënyra është tjetër. Lista serbe nuk e pranon Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Albin Kurti nuk e pranon rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Të hënë dhe të martën ka tentuar me cenu një gjë të tillë, ka provuar me zgjedh president në mënyrë anti-kushtetuese”, ka thënë Kajtazi.









