Kandidatja për presidente nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj kritikave për vizitat dhe deklaratat e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mohuar se ka sulmuar kryeministrin Albin Kurti në arenën ndërkombëtare.
Osmani tha se përkundrazi ka mbrojtur çdo veprim të institucioneve të Kosovës dhe ka kërkuar vazhdimisht mbështetje për Kurtin nga zyrtarët amerikanë.
“Është për keqardhje me thënë se unë kam shkuar në Amerikë për ta sulmuar Kurtin, këto gjëra pas shpine i bëjnë ata, në tituj pretendojnë kinse i kam sulmuar ndërkombëtarisht dhe ka ndodh komplet e kundërta, çdo veprim është mbrojtur, çdo veprim është arsyetuar, kam kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ngul kam kërkuar ta takojnë kryeministrin Kurti, ju lutem t’ia jepni një shancë i kam thënë sa herë që ata kanë qenë ta pakënaqur me të”, tha ajo në Kanal10.









