Menu Close

Hoxhaj largohet nga Komisioni për Arsim, kërkon ndryshimin e Ligjit për Specialen

Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Enver Hoxhaj, e ka lëshuar mbledhjen e këtij komisioni, në përputhje me vendimin e Grupit Parlamentar të PDK-së për të bojkotuar punën e komisioneve parlamentare deri në procedimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Hoxhaj, i cili drejton komisionin në emër të PDK-së, para largimit u bëri thirrje deputetëve dhe subjekteve politike që të angazhohen për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Ai tha se nuk do të marrë pjesë në diskutimet për fushëveprimin e komisionit, duke ua lënë anëtarëve të tjerë vazhdimin e mbledhjes.

“Unë nuk do të propozoj asgjë për fushëveprimin e komisionit. Kam dashur të jem fer me juve dhe konkret vetëm se i takon kushtëzimit të komisionit. Unë e lëshoj këtë mbledhje. I ftoj kolegët dhe të gjitha subjektet politike që ta amandamentojnë ligjin për Gjykatën Speciale. Kolegët e tjerë çfarëdo që keni prej sugjerimeve sa i takon fushëveprimit të këtij komisioni besoj që mund t’i vazhdoni”, tha ai.

Pas largimit të Hoxhajt, mbledhjen e ka udhëhequr nënkryetarja e komisionit, Arjeta Fejza.

Ajo tha se situata aktuale politike dhe institucionale po ndikon edhe në punën e komisionit, duke theksuar se për çështjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara tashmë ka diskutime ndërmjet subjekteve politike, si dhe qëndrime të Qeverisë.

“Sa i përket çështjes së ligjit, tashmë ka një diskutim i cili është duke u bërë nga subjektet politike, ka një qëndrim edhe të ministrisë dhe të kryeministrit në këtë proces. Në anën tjetër, ne si komision, siç u përmend edhe nga parafolësit, kemi çështje të cilat konkretisht e afektojnë mënyrën se si do të funksionojë arsimi në dritë të tij. Andaj pajtohem që ne nuk jemi në rrethana normale për të funksionuar. Uroj që sa më shpejt të konsolidohen të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, edhe ne vërtet mund të vazhdojmë me punën tonë edhe si komision edhe si kuvend, më konkretisht si komision për arsim për të trajtuar të gjitha çështjet që bien mbi fushëveprimtarinë tonë”, tha Fejza.

Pavarësisht largimit të Hoxhajt, mbledhja vazhdoi me anëtarët e tjerë të komisionit.

Ata votuan unanimisht për konstituimin e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, si dhe për fushëveprimin e tij.

Related Posts