Në mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, deputeti Eman Rrahmani ka ngritur çështjen e mundësisë së konfliktit të interesit nga ana e ekspertit të angazhuar në këtë komision, Skender Kandiq.
Rrahmani kërkoi nga Kandiq që të sqarojë angazhimin e tij të mëparshëm në Qendrën për Punë Sociale, në mënyrë që të shmangen situatat që mund të ndikojnë në punën e komisionit.
“Sa i përket ekspertëve, ne kemi votuar në mbledhjen e fundit edhe një ekspert tjetër. Ai është votuar në mbledhjen e fundit të këtij komisioni. Nga eksperti Skender Kandiq do të kërkoja të deklarojë nëse ka konflikt interesi në këtë komision, për shkak se ai ka qenë pjesë e Qendrës për Punë Sociale. Do të ishte mirë të na njoftonte për punën dhe angazhimin e tij para se të fillojmë këtë proces, në mënyrë që të mos vijmë në një situatë të papërshtatshme gjatë punës së komisionit”, deklaroi Rrahmani, transmeton Klankosova.tv.
Ai kërkoi gjithashtu që eksperti të japë detaje për periudhën gjatë së cilës ka qenë i angazhuar në QPS dhe për funksionet që ka ushtruar.
“Na tregoni për aktivitetin tuaj, periudhën kur keni qenë i angazhuar dhe ku keni punuar deri në periudhën e fundit”, kërkoi Rrahmani.
Në përgjigjen e tij, Skender Kandiq sqaroi se në Qendrën për Punë Sociale kishte punuar për 17 vjet para luftës, ndërsa pas luftës kishte ushtruar detyrën e drejtorit në Spitalin Rajonal të Shëndetit Mendor, deri në pensionim.
Ai mohoi kategorikisht mundësinë e konfliktit të interesit, duke theksuar se pas luftës nuk kishte pasur më asnjë kontakt me QPS-në në Pejë.
“Para luftës kam punuar në Qendrën për Punë Sociale për 17 vjet. Pas luftës kam qenë drejtor i Spitalit Rajonal të Shëndetit Mendor deri në pensionim. Në QPS pas luftës nuk kam pasur asnjë kontakt, pra në QPS në Pejë. Nuk kam asnjë konflikt interesi”, deklaroi Kandiq.
