GLPS: Mungesë serioze transparence në Projektligjin për Byronë, procesi i nxituar dhe jo gjithëpërfshirës

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar lidhur me procesin e hartimit dhe miratimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke ngritur shqetësime për mungesë të theksuar transparence dhe përjashtim të publikut nga ky proces.

Në reagimin e tyre, GLPS thekson se, ndonëse e mirëpret këtë nismë ligjore si të nevojshme për luftimin e korrupsionit, mënyra e menaxhimit të procesit nga Qeveria dhe Kuvendi është shqetësuese.

“Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet ndër vite lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe mirëpret këtë pjesë të legjislacionit e cila i nevojitet vendit si mekanizëm efikas në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, GLPS shpreh shqetësim mbi mënyrën se si ky proces është menaxhuar deri më tani nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kuvendi”, thuhet në reagim.

Sipas GLPS-së, për shkak se projektligji prek të drejta themelore si ajo e pronës, procesi do të duhej të ishte plotësisht transparent dhe gjithëpërfshirës.

“Meqenëse është rregullim i ri dhe prek një nga të drejtat themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë e që është e drejta në pronë, ky proces do duhej të zhvillohej me transparencë të plotë dhe pjesëmarrje të gjerë të publikut duke përfshirë edhe shoqërinë civile gjatë gjithë procesit të hartimit duke përfshirë edhe miratimin në Kuvend”, thuhet më tej.

GLPS vlerëson se procesi deri më tani është karakterizuar nga mungesë e theksuar e transparencës dhe mungesë e konsultimeve reale publike.

“Përkundrazi, i gjithë ky proces është karakterizuar nga mungesë e theksuar transparence, pa konsultime të mirëfillta publike nga Qeveria e tash më edhe nga Kuvendi, ku i vetmi dëgjim publik është organizuar në momente të fundit pa strukturë të qartë dhe pa mundësuar një shqyrtim kuptimplotë të draftit në aspektin kohor”, theksohet në reagim.

Tutje, GLPS kritikon edhe organizimin e dëgjimeve publike, duke i konsideruar ato të pamjaftueshme për një projektligj të kësaj natyre.

“Për më tepër, GLPS thekson se dëgjimi publik i paralajmëruar për nesër, përveç se është njoftuar me vonesë, nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si zëvendësim i konsultimeve publike të mirëfillta, domethënëse dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në reagim.

GLPS rikujton se projektligji është kompleks dhe i paprecedent në Kosovë, dhe si i tillë kërkon trajtim më të kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës.

“Duke pasur parasysh se Projektligji i është nënshtruar dy herë vlerësimit të kushtetueshmërisë, si dhe opinioneve të Komisionit të Venecias, është jo serioze dhe shqetësuese që jo të gjitha gjetjet dhe rekomandimet janë adresuar në mënyrë të plotë”, thuhet ndër të tjera.

Në përfundim, GLPS vlerëson se procesi ka qenë i nxituar dhe jo në përputhje me rëndësinë e projektligjit.

“Procedimi i tij ka reflektuar qasje të nxituar, të mbyllur dhe të fragmentuar, duke cenuar cilësinë dhe legjitimitetin demokratik të vetë aktit”, përfundon reagimi.

GLPS gjithashtu thekson se nuk do të bëhet pjesë e proceseve të tilla, duke refuzuar të legjitimojë iniciativa që, sipas tyre, nuk respektojnë parimet bazë të transparencës dhe llogaridhënies.