Kandidati për deputet nga PDK-ja, Arben Gega, ka ngritur shqetësimin për pengesat burokratike me të cilat përballen bizneset dhe qytetarët në Kosovë, duke vlerësuar se problemi nuk qëndron te mungesa e ideve apo iniciativave, por te administrata e ngarkuar dhe zbatimi i dobët i ligjeve.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Gega ka thënë se këtë realitet e përjeton çdo ditë si biznesmen dhe se vonesat administrative po e ngadalësojnë zhvillimin ekonomik të vendit.
“Problemi i Kosovës nuk është mungesa e ligjeve, por zbatimi i tyre. Në çdo hap hasim burokraci, pengesa, vonesa dhe rënie të sistemit për një dokument, e gjitha kjo na vonon”, është shprehur ai.
Gega ka theksuar se nuk po flet nga pozita e një politikani, por si një qytetar dhe sipërmarrës që përballet me të njëjtat vështirësi si mijëra njerëz të tjerë në Kosovë.
Sipas tij, Kuvendi ka nevojë për më shumë njerëz që e njohin jetën reale, ekonominë dhe sfidat e përditshme të qytetarëve, në mënyrë që problemet të adresohen me zgjidhje konkrete dhe jo vetëm me deklarata politike.
“Kosova ka nevojë për më pak fjalë dhe më shumë rezultat. Këtë realitet dua ta plasoj në Kuvend, aty ku merren vendimet që ndikojnë në jetën e secilit prej nesh”, ka deklaruar Gega.
Arben Gega garon për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës me numrin 68 në zgjedhjet e 7 qershorit.









