Dy aksidente trafiku janë regjistruar të martën në rrugën Prishtinë–Pejë, duke shkaktuar kolona të automjeteve dhe vështirësi në qarkullim për disa orë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur për Klankosova.tv. se aksidenti i parë ka ndodhur në orët e pasdites dhe në të janë përfshirë tri automjete.
“Në aksidentin e parë janë përfshirë tre automjete, ku si pasojë, përveç dëmeve materiale, janë shkaktuar edhe lëndime të lehta trupore”, tha Hoxha.
Sipas tij, një aksident tjetër është shkaktuar në fshatin Sllatinë, ndërsa të dy rastet kanë ndikuar në krijimin e kolonave të gjata në këtë aks rrugor.
“Si pasojë e aksidenteve janë shkaktuar kolona të automjeteve deri në largimin e mjeteve nga vendi i ngjarjes”, deklaroi ai.
Hoxha bëri të ditur se njësitet policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendet e ngjarjeve dhe duke ndërmarrë veprimet e nevojshme.
“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme operacionale dhe hetimore për sqarimin e rrethanave të rasteve, sipas procedurave ligjore”, theksoi zëdhënësi i Policisë.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.
“Apelojmë tek të gjithë drejtuesit e automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet në rrugë dhe respektim të shenjave të trafikut”, përfundoi Hoxha.
Kaos në trafik: Magjistralja Prishtinë-Pejë e bllokuar (FOTO)









