Enrique i tërbuar pas humbjes në derbi: Ndeshja më e dobët e PSG në këto tri vite si trajner

Humbja 2-1 në derbin ndaj Paris FC ka tërbuar trajnerin e PSG, Luis Enrique, zhgënjim që vjen pak ditë para finales së Champions League kundër Arsenal. Trajneri spanjoll nuk lë vend për alibi dhe ka sulmuar skuadrën e tij.

Çfarë mund të shpëtojmë? Asgjë,” deklaroi drejtpërdrejt trajneri parizien. “Pjesa e parë ishte shumë e dobët. Është e vështirë të gjesh diçka pozitive. Ishte ndoshta ndeshja më e keqe që kur kam ardhur këtu tre vjet më parë“, tha Enrique.

Fjalë të forta, veçanërisht duke pasur parasysh këtë moment vendimtar të sezonit. Shumë e kanë lidhur performancën e dobët me finalen e ardhshme evropiane, por Luis Enrique hodhi poshtë çdo justifikim.

Ka shumë justifikime të mundshme, por mua nuk më pëlqejnë justifikimet. E di që ndeshje si kjo mund të jenë të vështira për t’u përgatitur mendërisht, por kur luan për PSG-në, duhet të tregosh se je ndryshe. Ne nuk ishim dhe nuk jam i kënaqur“, tha Enrique.

Përtej humbjes, ajo që i alarmoi veçanërisht tifozët parizienë ishte dëmtimi i Ousmane Dembélé-së. Fituesi i Topit të Artë 2025 u largua nga fusha në minutën e 27-të, duke ngritur menjëherë kambanat e alarmit përpara finales në Budapest më 30 maj.

Luis Enrique u përpoq të qetësonte tifozët: “Ai është mirë. Shpresoj të mos jetë asgjë serioze.” Një deklaratë që, të paktën për momentin, largon frikën e një mungese të konsiderueshme në natën më të rëndësishme të sezonit të PSG-së.

The post Enrique i tërbuar pas humbjes në derbi: Ndeshja më e dobët e PSG në këto tri vite si trajner appeared first on Telesport.