Edhe tetë muaj mandat – si e shkarkoi Gërvalla kryetarin e Supremes nga Komisioni për Provim të Jurisprudencës

Me rreth tetë muaj mandat të mbetur, përbërja e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës është shkarkuar nga Qeveria, ndonëse ligjërisht duhej të vazhdonte punën deri në fund të vitit 2026.

Vendimi i iniciuar nga ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka zhbërë trupën e emëruar në dhjetor të vitit 2023, duke ua ndërprerë mandatin trevjeçar para kohe.

Në krye të komisionit të shkarkuar ështe kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, ndërsa pjesa tjetër e anëtarëve konsideroheshin si profesionistë me integritet në procesin e organizimit të provimit të jurisprudencës.

Ish-përbërja e këtij komisioni është zhbërë ndonëse Ministria e Drejtësisë nuk ka publikuar asnjë njoftim, as vendim për shkarkimin e anëtarëve të komisionit të kaluar.

Megjithatë, pushteti kishte shprehur pakënaqësi ndaj këtij komisioni, raporton Paparaci.

Përkundër kritikave të pushtetit, komisioni shquhej shquhej për profesionalizëm, integritet dhe kompetencë në mbajtjen e provimit të jurisprudencës.

Kjo tregohet nga kriteret e aplikuara gjatë provimit të fundit, të zhvilluar në prill të vitit 2025.

Vitin e kaluar, qeveria kreu shkelje të drejtpëdrejtë të Ligjit për Provimin e Jurisprudencës, duke mos organizuar më shumë se një afat të këtij provimi. Ligji e obligon që të organizojë së paku tri afate në vit.

Vetë Rexhepi muajin e kaluar në një intervistë për “Betimin për Drejtësi” tha se ndjen keqardhje për ankesat e Ministrisë së Drejtësisë në drejtim të komisionit për gjoja mungesë efikasiteti dhe profesionalizmi.

Në fakt, Hasani, i cili është kryetar i gjykatës më të lartë të sistemit të rregullt gjyqësor në vend, asaj Supreme, tha se qeveria është ankuar “numrin e vogël të kalueshmërisë” së provimit.

Kjo, sipas tij, ka një rrjedhë logjike. Ai tha se Komisioni ka aplikuar kritere të njëjta për të gjithë kandidatët dhe se ka kryer me kompetencë detyrat që i përcaktohen me dispozitat ligjore.

“Është për keqardhje mënyra sesi Ministria e Drejtësisë ka bërë reagimin; unë personalisht ndjej keqardhje për këtë reagim sepse Komisioni ka qenë kompetent dhe besoj e ka bërë punën ashtu siç duhet. Çështja e ankesave është çështje që ekziston gjithmonë”, tha Rexhepi.

Sipas Rexhepit, të gjithë kandidatët që i janë nënshtruar provimit të jurisprudencës i janë nënshtruar të njëjtave kritere.

“Nëqoftëse ne nuk jemi kompetent duhet të merren masa e jo të bëhen reagime [nga Ministria e Drejtësisë, v.j] përmes televizioneve, sepse ne nuk kemi marrë shqetësim të tillë si televizion”, pohoi ai.

Në mbledhjen e së hënës së Qeverisë u miratua vendimi që parasheh që Arian Gashi të marrë drejtimin e këtij komisioni, duke zevendësuar përbërjen e mëparshme.

Arian Gashi dihet për lidhjet e tij të ngushta me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

Provimi i jurisprudencës në duart e njeriut që ka lidhje me pushtetin