Menu Close

Çitaku: Keqardhja e komisioneres Kos nuk mjafton – Kosova ta trajtojë këtë skandal

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklarimit të komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, e cila ka shprehur keqardhjen për muzikën e këngës nacionaliste serbe e cila u lëshua në koncertin e organizuar në prag të “Forumit të zgjerimit” në Bruksel.

Sipas Çitakut, keqardhja e saj nuk mjafton, prandaj duhet kërkimfalje, sqarim dhe garanci se një gjë e tillë nuk do të përsitet, transmeton Klankosova.tv

“Kosovën e lënë jashtë, provokimit i japin skenë!

Në një forum për të ardhmen evropiane të rajonit, interpretimi i një melodie nacionaliste serbe që ushqen pretendime ndaj Kosovës është skandal dhe provokim i hapur.

Mes injorancës dhe qëllimit, shpresojmë të ketë qenë e para. Por asnjëra nuk e përjashton përgjegjësinë institucionale.

Keqardhja e komisioneres Marta Kos është e nevojshme, por nuk mjafton. Komisioni Evropian nuk mund t’ua bartë përgjegjësinë vetëm muzikantëve. Kërkojmë sqarim, kërkimfalje dhe garanci për mospërsëritje. Pajtimi fillon me respektin për kujtesën dhe dinjitetin e secilit popull.”

Duke e quajtur këtë rast si skandal, ajo tha se Kosova duhet t’i përdor të gjithë mekanizmat, për ta trajtuar dhe për të kërkuar përgjegjësi.

“Përkushtimi ynë ndaj BE-së mbetet i palëkundur. Pikërisht për këtë, kërkojmë përgjegjësi në emër të vlerave evropiane.

Kosova meriton vendin dhe zërin e saj në debatin për zgjerimin. Institucionet tona duhet të përdorin të gjithë mekanizmat institucionalë dhe diplomatikë për ta trajtuar këtë skandal dhe për të kërkuar përgjegjësi.

E ardhmja evropiane e rajonit nuk ndërtohet duke përjashtuar Kosovën dhe duke u dhënë skenë pretendimeve kundër saj.”

Related Posts