Menu Close

Rama alarmon për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”: Anulohet takimi në Athinë, kërkon llogari nga Kurti

Përparim Rama ka ngritur alarmin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, pas anulimit të takimit në Athinë nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.

Sipas Ramës, anulimi ka ardhur si pasojë e mungesës së përgjigjeve, obligimeve të papërmbushura dhe moskonfirmimit të delegacionit brenda afatit të përcaktuar.

Ai ka bërë të ditur se këto arsye janë përmendur në njoftimin zyrtar të Komitetit Olimpik të Kosovës.

“Mungesë përgjigjesh!”, “Obligime të papërmbushura!”, “Delegacion i pakonfirmuar brenda afatit”, ka shkruar Rama, duke renditur arsyet e anulimit.

Rama ka shprehur shqetësimin se ky zhvillim mund ta rrezikojë mundësinë historike të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare.

Sipas tij, takimi i anuluar ishte paraparë të shërbente për përpjekjet e fundit që Kosova të mos e humbiste këtë mundësi.

Për këtë situatë, Rama ka kërkuar përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës.

“Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës duhet të japë llogari menjëherë!!!”, ka shkruar ai.

Rama e ka përfunduar reagimin me akuza të ashpra ndaj institucioneve përgjegjëse.

“Ky është skandal! Ky është turpi i shtetit tonë!”, ka deklaruar ai.

#politikë

Related Posts