Casemiro: Unë nuk do të jem këtu vitin tjetër, por ai e meriton 100% të konfirmohet

Mesfushori i Manchester United, Casemiro, dha një intervistë për ESPN, duke folur edhe për të ardhmen e trajnerit të “djajve të kuq”. Michael Carrick u soll për të vepruar si trajner kalimtar pas shkarkimit të Amorim, por ai ka fituar 10 nga 14 ndeshjet e tij deri më tani dhe është kualifikuar për Champions League të sezonit të ardhshëm.

Ai e meriton plotësisht të qëndrojë,” tha Casemiro, që më tej shtoi: “Ai tashmë ka demonstruar se ka cilësi të shkëlqyera për të menaxhuar Manchester United. Zgjedhja nuk varet nga unë, por nëse mund të jap mendimin tim, ai meriton besimin e plotë të klubit për atë që ka bërë dhe që e shohin të gjithë.”

I pari që përfitoi nga mbërritja e Carrick ishte vetë Casemiro, i rikthyer titullar, duke shënuar pesë gola dhe një asist: “Unë kam qenë një nga ata që kanë përfituar më shumë që nga mbërritja e tij. Carrick është dikush që e njeh klubin, është një idhull këtu, ka luajtur dhe ka fituar tituj. Ai e di se çfarë është Manchester United dhe meriton duartrokitje. Ai ka qenë një surprizë në një sezon kaq të trazuar.”

Së fundmi, Casemiro foli edhe për të ardhmen e tij, duke ua mbyllur derën përfundimisht shumë tifozëve që kanë brohoritur në Old Trafford për javë të tëra, duke i kërkuar atij të nënshkruajë për një vit tjetër: “Nuk mendoj se ka ndonjë shans, po largohem. Mendoj se këto kanë qenë katër vite të mrekullueshme dhe do të jem përjetësisht mirënjohës jo vetëm klubit, por edhe tifozëve.”

The post Casemiro: Unë nuk do të jem këtu vitin tjetër, por ai e meriton 100% të konfirmohet appeared first on Telesport.