Tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ndodhet në gjendje kritike pas një sulmi me armë zjarri në Isla Cristina, në provincën e Huelvës, në Spanjë. Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën mbrëma në lagjen Rocío, ku një person i armatosur dyshohet se mbërriti me motoçikletë dhe hapi zjarr ndaj disa personave, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes.
Mes viktimave janë një grua shtatzënë, nëna e saj dhe një 16-vjeçar. Të tre u qëlluan në rrugë, ndërsa personi i katërt i plagosur rëndë u dërgua në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
Policia spanjolle ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të sulmit dhe nuk përjashton mundësinë që ai të jetë i lidhur me një konflikt të hershëm mes dy familjeve.
Sipas dyshimeve të raportuara nga mediat lokale, sulmi mund të ketë qenë një akt hakmarrjeje pas një vrasjeje të ndodhur në Huelva në muajin shtator. Viktimat e sulmit të fundit dyshohet se kishin lidhje familjare me personin e përfshirë në atë ngjarje, shkruajnë mediat spanjolle \.
Hetuesit po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa vijojnë të hetojnë motivin e saktë të sulmit.
Që prej asaj kohe, dy familjet dyshohet se janë përfshirë në disa episode dhune, përfshirë edhe një tjetër incident me armë zjarri në Isla Cristina.
Për këtë arsye, hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë që sulmi i së dielës të jetë pjesë e një serie aktesh hakmarrjeje mes dy familjeve.
Garda Civile dhe Policia lokale kanë nisur një operacion të gjerë për kapjen e të dyshuarit, i cili vijon të jetë në arrati. Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të sulmit janë ende në vazhdim.








