Shkruan: Burim Gjaka
“Cilësia e një sistemi arsimor nuk mund të tejkalojë cilësinë e mësimdhënësve të tij.”
Parim i nxjerrë nga studimet ndërkombëtare mbi efektivitetin e sistemeve arsimore
Në çdo përpjekje për të përmirësuar arsimin, diskutimet shpesh përqendrohen te infrastruktura, teknologjia, kurrikulat, tekstet shkollore apo reformat ligjore. Të gjitha këto janë elemente të rëndësishme për funksionimin e një sistemi arsimor, por përvoja ndërkombëtare dhe hulumtimet në fushën e arsimit kanë dëshmuar vazhdimisht se faktori që ushtron ndikimin më të drejtpërdrejtë në cilësinë e të nxënit është mësimdhënësi.
Në fund të fundit, çdo politikë arsimore, çdo reformë dhe çdo dokument strategjik provohet në klasë. Pikërisht aty shihet nëse një ide funksionon në praktikë, nëse objektivat janë të realizueshme dhe nëse ndryshimet e parashikuara në dokumente arrijnë të shndërrohen në përvoja reale të të nxënit për nxënësit.
Çdo ditë, në çdo klasë, mësimdhënësi merr vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin akademik, social dhe emocional të nxënësve. Ai nuk është vetëm bartës i njohurive, por edhe udhërrëfyes, edukator, motivues dhe model i vlerave njerëzore e profesionale. Për këtë arsye, cilësia e një shkolle nuk matet vetëm nga ndërtesa, pajisjet apo dokumentet institucionale që ajo posedon, por mbi të gjitha nga profesionalizmi, përkushtimi dhe kompetenca e njerëzve që punojnë brenda saj.
Nga transmetues i njohurive ne udhëheqës të procesit të të nxënit
Arsimi bashkëkohor ka ndryshuar ndjeshëm rolin e mësimdhënësit. Në një kohë kur informacioni është i qasshëm pothuajse pa kufi, misioni i tij nuk mund të kufizohet më vetëm në transmetimin e njohurive. Sfida kryesore është të ndihmojë nxënësit të mësojnë si të mendojnë, si të analizojnë, si të kërkojnë informacion dhe si ta përdorin atë në situata të ndryshme. Kjo kërkon zhvillimin e mendimit kritik, kreativitetit, aftësisë për zgjidhjen e problemeve, komunikimit, bashkëpunimit dhe kompetencave të tjera që i nevojiten një individi për të jetuar dhe vepruar në një shoqëri që ndryshon vazhdimisht.
Një mësimdhënës cilësor planifikon me kujdes procesin mësimor, përdor metoda të ndryshme të punës, përshtat qasjen sipas nevojave dhe mundësive të nxënësve dhe krijon një mjedis ku secili ndihet i respektuar, i përfshirë dhe i motivuar për të mësuar. Ai nuk e sheh nxënësin vetëm si pjesë të një rezultati statistikor, të një note apo të një mesatareje. Përkundrazi, ai e sheh atë si individ me potencial, aftësi, nevoja dhe mundësi të veçanta zhvillimi.
Kjo është arsyeja pse mësimdhënia cilësore nuk mund të reduktohet në mbajtjen e orës mësimore. Ajo është një proces kompleks që kërkon njohuri profesionale, përgatitje pedagogjike, kreativitet, reflektim të vazhdueshëm dhe aftësi për t’iu përshtatur nevojave të ndryshme të nxënësve.
Zhvillimi professional – kusht për cilësi të qëndrueshme
Profesionalizmi i mësimdhënësit nuk është një gjendje që arrihet një herë dhe mbetet e pandryshuar gjatë gjithë karrierës. Ai ndërtohet, sfidohet dhe zhvillohet vazhdimisht. Për këtë arsye, zhvillimi profesional duhet të jetë pjesë e pandashme e jetës së çdo mësimdhënësi. Trajnimet cilësore, mentorimi, bashkëpunimi me kolegët, reflektimi mbi praktikën, vëzhgimi i ndërsjellë i mësimdhënies dhe shkëmbimi i përvojave janë elemente që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së punës në klasë.
Por zhvillimi profesional nuk duhet kuptuar vetëm si pjesëmarrje në trajnime dhe pajisje me certifikata. Vlera e tij reale matet me një pyetje shumë më të rëndësishme: A ka ndryshuar diçka në praktikën e mësimdhënësit dhe në përvojën e të nxënit të nxënësit? Nëse zhvillimi profesional mbetet vetëm një aktivitet formal, pa reflektim dhe pa zbatim në praktikë, atëherë ai rrezikon të shndërrohet në një proces administrativ, e jo në një instrument real për ngritjen e cilësisë. Prandaj, shkolla duhet të krijojë hapësira ku mësimdhënësit të kenë mundësi të mësojnë nga njëri-tjetri, të analizojnë sfidat e përbashkëta dhe të ndërtojnë zgjidhje së bashku.
Bashkëpunimi prfesional – një kërkesë që duhet të bëhet e mundur në praktikë
Në shkollat me performancë të lartë, kultura profesionale nuk ndërtohet mbi konkurrencën mes mësimdhënësve, por mbi bashkëpunimin dhe të nxënit kolektiv. Mësimdhënësit planifikojnë së bashku, analizojnë rezultatet e nxënësve, ndajnë praktikat më të mira dhe mbështesin njëri-tjetrin në përballimin e sfidave profesionale. Pikërisht kjo kulturë e bashkëpunimit është një nga karakteristikat që dallon shkollat që zhvillohen vazhdimisht nga ato që mbeten të ngujuara në rutinën e përditshme. Megjithatë, këtu duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm mes asaj që kërkohet në dokumente dhe asaj që është realisht e mundur të zbatohet në praktikë.
Kurrikula e re parasheh bashkëpunim profesional, planifikim të përbashkët dhe ndërlidhje të mësimdhënies ndërmjet fushave të ndryshme kurrikulare. Në parim, këto janë kërkesa të drejta dhe të domosdoshme për një arsim bashkëkohor. Por zbatimi i tyre kërkon edhe kushte reale organizative dhe logjistike. Në shumë raste, veçanërisht në shkollat me numër më të vogël të nxënësve, mësimdhënësit e së njëjtës fushë nuk punojnë së bashku në të njëjtën shkollë. Për të plotësuar normën e tyre të punës, ata janë të angazhuar në dy ose më shumë shkolla. Kjo do të thotë se shpesh nuk kanë mundësi të takohen rregullisht me kolegët e së njëjtës fushë, e në disa raste mund të mos kenë fare hapësirë për bashkëpunim të strukturuar profesional.
Është vështirë të kërkosh planifikim të përbashkët, koordinim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim ndërmjet mësimdhënësve, nëse vetë organizimi i punës nuk krijon kohë dhe mundësi për këtë bashkëpunim. Kjo nuk duhet të interpretohet si mungesë vullneti apo profesionalizmi nga ana e mësimdhënësve. Përkundrazi, është një problem që lidhet me organizimin e sistemit dhe me kushtet në të cilat kërkohet të realizohen objektivat e përcaktuara në dokumentet kurrikulare. Një reformë nuk mund të gjykohet vetëm nga cilësia e dokumentit që prodhon. Ajo duhet të gjykohet edhe nga mundësia reale për t’u zbatuar në çdo shkollë, në çdo komunë dhe në çdo rrethanë.
Nëse kërkojmë bashkëpunim profesional, atëherë duhet të krijojmë kohë për bashkëpunim. Nëse kërkojmë planifikim të përbashkët, duhet të krijojmë mekanizma që e mundësojnë atë. Nëse kërkojmë ndërlidhje ndërmjet fushave kurrikulare, atëherë duhet të sigurojmë kushte që mësimdhënësit të mund të takohen, të diskutojnë dhe të planifikojnë së bashku. Përndryshe, ekziston rreziku që disa kërkesa të rëndësishme të mbeten të shkruara në dokumente, por të mos arrijnë të bëhen pjesë reale e praktikës së përditshme në shkollë.
Administrata nuk duhet ta largojë mësimdhënësin nga nxënësi
Një tjetër çështje që meriton vëmendje serioze është ngarkesa administrative që u vendoset mësimdhënësve. Në vend që energjia dhe koha e tyre të përqendrohen kryesisht në planifikimin e mësimdhënies, përgatitjen e materialeve, analizimin e progresit të nxënësve dhe përmirësimin e metodave të punës, një pjesë e konsiderueshme e kohës shpesh shpenzohet në plotësimin e formularëve, raporteve, evidencave dhe dokumentacionit të ndryshëm.
Administrimi është pjesë e domosdoshme e funksionimit të një institucioni. Askush nuk mund të kërkojë një sistem pa dokumentim, pa evidencë dhe pa përgjegjësi profesionale. Por problemi lind atëherë kur administrata fillon të prodhojë dokumente vetëm për të dëshmuar se një aktivitet ka ndodhur, e jo për të ndihmuar realisht në përmirësimin e punës. Jo çdo dokument është domosdoshmërisht dëshmi e cilësisë. Një sistem arsimor duhet të ketë guximin të pyesë vazhdimisht: Cili është qëllimi i këtij formulari? Çfarë informacioni na sjell? Si ndikon ai në përmirësimin e mësimdhënies dhe të nxënit?
Nëse një dokument nuk ndihmon në përmirësimin e procesit, nuk krijon informacion të dobishëm për vendimmarrje dhe vetëm konsumon kohë, atëherë ai rrezikon të shndërrohet në një formë të administratës së tepërt dhe kozmetike. Koha e mësimdhënësit është një nga resurset më të çmuara të shkollës. Çdo orë e shpenzuar në procedura të panevojshme është një orë më pak për përgatitje, reflektim, bashkëpunim profesional apo punë individuale me nxënësit.
Prandaj, reduktimi i burokracisë së panevojshme nuk duhet parë si ulje e përgjegjësisë profesionale. Përkundrazi, ai duhet të shihet si krijim i hapësirës që mësimdhënësi të fokusohet aty ku ka ndikimin më të madh: te nxënësi dhe te cilësia e procesit të të nxënit.Institucionet arsimore duhet të synojnë një administratë të mençur, të thjeshtuar dhe funksionale, ku dokumentimi të jetë mjet për zhvillim dhe jo qëllim në vetvete.
Nuk mund të kërkojmë rezultate pa krijuar kushte për sukses
Në Kosovë, mësimdhënësit kanë kaluar nëpër procese të rëndësishme reformimi. Ata janë përballur me ndryshimin e kurrikulës, me qasje të reja të vlerësimit, me përdorimin e teknologjisë, me kërkesa të reja për planifikim dhe me pritje gjithnjë e më të mëdha profesionale. Të gjitha këto ndryshime kanë rritur përgjegjësinë e mësimdhënësit. Por njëkohësisht kanë bërë të domosdoshme edhe krijimin e kushteve të përshtatshme për përballimin e tyre.
Nuk mund të kërkojmë nga mësimdhënësi të jetë vazhdimisht inovativ nëse nuk i krijojmë hapësirë për zhvillim profesional. Nuk mund të kërkojmë bashkëpunim nëse nuk ekzistojnë kushte për bashkëpunim. Nuk mund të kërkojmë përdorim efektiv të teknologjisë nëse infrastruktura nuk e mbështet atë. Nuk mund të kërkojmë rezultate më të mira pa i ofruar mësimdhënësit mjetet dhe mbështetjen e nevojshme për të përmirësuar praktikën e tij. Cilësia nuk mund të kërkohet vetëm përmes udhëzimeve, raporteve dhe kërkesave administrative. Ajo ndërtohet përmes një sistemi që krijon kushte për sukses.
Në këtë kuptim, ngritja e cilësisë së mësimdhënies nuk mund të mbështetet vetëm në përgjegjësinë individuale të mësimdhënësit. Ajo kërkon një sistem ku shkolla, drejtuesit dhe institucionet arsimore krijojnë kushte për zhvillim profesional, bashkëpunim, autonomi profesionale dhe vlerësim të drejtë të punës. Një mësimdhënës nuk mund të kërkohet të ndryshojë vazhdimisht nëse sistemi rreth tij nuk krijon mundësi, mbështetje dhe motivim për këtë ndryshim.
Mentorimi dhe kultura e mbështetjes profesionale
Një rol të veçantë në këtë proces ka mentorimi profesional, veçanërisht për mësimdhënësit që sapo kanë hyrë në sistem. Hyrja në profesion nuk duhet të jetë një proces ku mësimdhënësi i ri thjesht vendoset para klasës dhe pritet të mësojë gjithçka përmes përvojës personale. Ai duhet të ketë mbështetje, udhëzim dhe mundësi për të mësuar nga kolegët me përvojë. Një program i strukturuar mentorimi ndihmon në integrimin profesional, në zhvillimin e praktikave cilësore të mësimdhënies dhe në ndërtimin e një kulture ku përvoja dhe njohuritë ndahen ndërmjet kolegëve.
Por mentorimi nuk duhet të kufizohet vetëm te mësimdhënësit e rinj. Në një shkollë që mëson, çdo mësimdhënës duhet të ketë mundësi të mësojë nga të tjerët.Kjo kërkon një kulturë profesionale ku kërkimi i ndihmës nuk shihet si dobësi, por si shenjë e përgjegjësisë profesionale.
Vlerësimi duhet të shërbejë për zhvillim
Një shkollë që synon cilësinë nuk duhet të mjaftohet vetëm me vlerësimin formal të performancës së mësimdhënësve. Vlerësimi ka vlerë atëherë kur ndihmon mësimdhënësin të kuptojë pikat e tij të forta, sfidat që duhet të kapërcejë dhe hapat që duhet të ndërmarrë për përmirësim. Nëse procesi i vlerësimit reduktohet vetëm në plotësimin e dokumentacionit dhe përmbushjen e procedurave, ai humb një pjesë të rëndësishme të qëllimit të tij.
Vlerësimi duhet të lidhet me zhvillimin profesional. Ai duhet të pasohet nga mbështetja, këshillimi, mentorimi dhe mundësitë konkrete për përmirësim. Qëllimi nuk duhet të jetë vetëm të përcaktojmë se ku ndodhet mësimdhënësi në një moment të caktuar, por ta ndihmojmë atë të ecë përpara.
Mirëqenia dhe motivimi i mësimdhënësit
Po aq e rëndësishme është edhe mirëqenia profesionale e mësimdhënësit.Motivimi, respekti institucional, mbështetja nga drejtuesit e shkollës dhe marrëdhëniet pozitive me kolegët ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e punës së tij.Një mësimdhënës që ndihet i vlerësuar dhe i mbështetur ka më shumë mundësi të krijojë një klimë pozitive edhe për nxënësit e tij.
Kjo nuk do të thotë se profesionalizmi duhet të varet vetëm nga motivimi personal. Mësimdhënia është profesion me përgjegjësi të lartë dhe kërkon përkushtim të vazhdueshëm. Por edhe sistemi ka përgjegjësinë e tij: të krijojë një mjedis ku mësimdhënësi ndihet i respektuar, i dëgjuar dhe i mbështetur.Respekti për mësimdhënësin nuk duhet të shprehet vetëm me fjalë në raste ceremoniale. Ai duhet të reflektohet në politikat që hartohen, në mënyrën se si organizohet puna, në mundësitë për zhvillim dhe në besimin që institucioni ka në profesionalizmin e tij.
Në fund gjithçka kthehet te klasa
Në fund, çdo reformë arsimore provohet në klasë. Aty shihet nëse objektivat janë arritur, nëse metodat funksionojnë dhe nëse nxënësit po zhvillojnë njohuritë dhe kompetencat që u nevojiten për jetën.Pikërisht për këtë arsye, investimi më i rëndësishëm që mund të bëjë një sistem arsimor është investimi në mësimdhënësit e tij. Por ky investim nuk duhet të kuptohet vetëm si organizim trajnimesh. Ai nënkupton krijimin e një sistemi që i jep mësimdhënësit kohë për t’u përgatitur, mundësi për të bashkëpunuar, mbështetje për t’u zhvilluar dhe kushte reale për të zbatuar atë që kërkohet prej tij.
Sepse nuk mund të kërkojmë mrekulli në klasë, ndërkohë që jashtë saj nuk krijojmë kushtet minimale që ajo punë të bëhet me cilësi.Kur shkolla investon në zhvillimin profesional të mësimdhënësve, ajo nuk përmirëson vetëm cilësinë e mësimdhënies. Ajo ndërton një kulturë ku të gjithë mësojnë, bashkëpunojnë dhe rriten së bashku.Dhe pikërisht kjo kulturë është themeli mbi të cilin ndërtohet një arsim cilësor dhe i qëndrueshëm.
Sepse në fund, teknologjia mund të ndryshojë, kurrikulat mund të reformohen dhe politikat mund të përmirësohen. Por ndikimi më i drejtpërdrejtë në jetën e nxënësit vazhdon të vijë nga mësimdhënësi që çdo ditë hyn në klasë.Prandaj, nëse duam shkolla më të mira, duhet të krijojmë kushte për mësimdhënës më të fuqizuar. Nëse duam nxënës më të suksesshëm, duhet të mbështesim njerëzit që çdo ditë punojnë me ta.
Sepse cilësia e arsimit fillon me mësimdhënësin, por nuk mund të ndërtohet vetëm mbi supet e tij. Ajo është përgjegjësi e gjithë sistemit.
Vijon…
Në pjesën e ardhshme do të trajtojmë rolin e nxënësit dhe krijimin e një mjedisi shkollor ku çdo fëmijë ndihet i përfshirë, i sigurt, i respektuar dhe i motivuar për të mësuar. Sepse, në fund të fundit, cilësia e arsimit matet me zhvillimin, mirëqenien dhe suksesin e çdo nxënësi.









