Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, dhe Zëvendësguvernatori, Dardan Fusha, morën pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “Zbatimi i Platformës Target Instant Payments Settlement (TIPS) Clone”, e organizuar nga Grupi i Bankës Botërore, me pjesëmarrjen e Guvernatorëve dhe ekipeve të pesë bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor, Bankës së Italisë dhe përfaqësuesve të Bankës Botërore.
Diskutimi kishte për qëllim shqyrtimin e progresit të arritur në përgatitjet për lansimin e platformës TIPS Clone, sipas planifikimeve të këtij viti, si dhe vlerësimin e gatishmërisë së bankave qendrore dhe ekosistemeve kombëtare për t’u lidhur me sistemin e pagesave të shpejta.
Gjatë tryezës së rrumbullakët, Banka e Italisë prezantoi një përditësim lidhur me progresin drejt finalizimit të sistemeve TIPS Clone për pesë vendet pjesëmarrëse, ndërsa secila bankë qendrore, përfshirë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, paraqiti përditësimet mbi përgatitjet institucionale, teknike dhe rregullative, si dhe gatishmërinë e sektorit bankar për integrim në platformë.
Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së për modernizimin e infrastrukturës së pagesave, duke vlerësuar TIPS Clone si një hap strategjik drejt rritjes së efikasitetit, shpejtësisë dhe sigurisë së pagesave, si dhe drejt forcimit të integrimit rajonal dhe afrimit gradual me standardet evropiane të pagesave, përfshirë procesin e integrimit në SEPA.
Zëvendësguvernatori Fusha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet bankave qendrore, Bankës së Italisë dhe Grupit të Bankës Botërore, duke nënvizuar se mbështetja teknike dhe institucionale është thelbësore për sigurimin e një implementimi të suksesshëm dhe të qëndrueshëm të sistemit të pagesave të shpejta në nivel kombëtar dhe rajonal.
Në përmbyllje të diskutimit, Grupi i Bankës Botërore prezantoi një përditësim mbi angazhimet e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor lidhur me TIPS Clone dhe modernizimin më të gjerë të sistemeve të pagesave, duke riafirmuar mbështetjen e tyre për reformat në sektorin financiar dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të bankave qendrore të rajonit.









