Atletet e bardha të Ramës marrin vëmendjen në Samitin e NATO-s, Rutte i tregon Trumpit

Në mesin e liderëve të mbledhur në samitin e NATO-s, një nga detajet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte stili i veçantë i veshjes së kryeministrit Edi Rama.

Ashtu si edhe në takime të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, kreu i qeverisë shqiptare u shfaq i veshur me kostum të errët, të kombinuar me atlete të bardha.

Ky nuk është rasti i parë që Rama zgjedh një stil të tillë në samite ndërkombëtare, duke e kthyer atë në një element të dallueshëm të paraqitjes së tij publike.

Një moment që u komentua ishte reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili, gjatë takimit, i tërhoqi vëmendjen presidentit amerikan Donald Trump duke i treguar atletet e bardha të kryeministrit, transmeton Klankosova.tv.

Trump hodhi një vështrim të shkurtër në drejtim të Ramës.

Ndërkohë, momenti u vu re edhe nga disa liderë të tjerë të pranishëm, duke ngjallur reagim dhe buzëqeshje gjatë takimit.