“Anëtarët e bordeve të RTK-së dhe KPM-së zgjidhen në procese të komprometuara”

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, kanë reaguar bashkërisht pas zgjedhjes së anëtarëve të bordeve të RTK-së dhe të KPM-së.

Në reagimin e tyre, thuhet se ky proces është i komprometuar.

“Shprehim zhgënjimin tonë me vendimin e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës dhe të Komisionit të Pavarur për Media në një proces të dokumentuar haptazi si të komprometuar”.

“Kandidatët e dy trupave drejtues të këtyre institucioneve janë përzgjedhur në procese të nxituara, pa transparencë dhe me procedura të çrregullta, të cilat e kanë pamundësuar zbatimin e parimit të meritokracisë”.

“Proceset kanë dështuar për arsyet në vijim: insistimi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ky proces të përmbyllej brenda një afati të shkurtër dhe koha e pamjaftueshme në dispozicion, organizimi i çrregullt si pasojë e presionit kohor, cenimi i trajtimit të barabartë të kandidatëve, metodologjia e paqartë dhe jo transparente, sidomos me vendimin që poentimi i kandidatëve të mos bëhet pas secilës intervistë, si dhe favorizimi politik i disa kandidatëve”, thuhet në reagimin e tyre të publikuar në Facebook.

Në veçanti, për organizatat në fjalë dhe për Flutura Kusarin, “është shqetësuese që në KPM është përzgjedhur Besnik Berisha, i cili gjatë mandatit të tij në këtë institucion, në përpjekje për t’u avancuar sa ishte anëtar në KPM, kishte shkelur ligjin për t’u bërë kryetar i bordit, dhe Luljeta Aliu Krasniqi, e cila ka lavdëruar dhe mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje dhe njihet si mbështetëse e pushtetit”.

“Anëtarët e të dy bordeve do të veprojnë nën hijen e mandateve të marra në procese të komprometuara”, thanë OJQ-të dhe Flutura Kusari.

Në reagim, ata thanë se do të monitorojnë me vëmendje të shtuar punën e të dy bordeve dhe do të informojnë publikun për veprimet e tyre.

Vlerësimi i procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës – KËTU