Abdixhiku premton 1.5 miliard euro investime kapitale në Prishtinë

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një tubim elektoral në Degën e Dytë të partisë në Prishtinë, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social Facebook, theksoi se ka gjetur mbështetje të madhe nga qytetarët e kryeqytetit, duke theksuar se Prishtina mbetet një nga prioritetet kryesore të programit të LDK-së, transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, plani i LDK-së parasheh investime kapitale në vlerë prej 1.5 miliard eurosh në kryeqytet, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ngritjen e cilësisë në arsim, modernizimin e shëndetësisë, si dhe zhvillimin e sportit, kulturës dhe teknologjisë.

Gjatë tubimit, Abdixhiku prezantoi edhe kandidatët e LDK-së nga Dega e Dytë në Prishtinë, duke kërkuar mbështetje për Jehona Lushaku-Sadriun, Berat Rukiqin, Lulzim Zenelin, Armend Ibrahimin, Fitim Havollin dhe Valon Prestreshin.

Ai theksoi se Prishtina do të vazhdojë të jetë në qendër të projekteve zhvillimore të LDK-së, duke e cilësuar kryeqytetin si zemrën e Kosovës.