Kroacia përfshihet nga zjarret, “digjet” qyteti turistik

Një zjarr i madh që shpërtheu mbrëmë në Lokva Rogoznicë, gjatë natës u përhap në drejtim të Omishit, Kroaci, duke përfshirë zonat mbi qytet dhe duke iu afruar qendrës së tij.

Zjarri ka rrezikuar shumë shtëpi dhe objekte, ndërsa një pjesë e banorëve dhe turistëve janë evakuuar. Nga terreni po publikohen pamje të dëmeve të mëdha materiale, përfshirë automjete dhe objekte të djegura, ka raportuar “Index.hr”.

Sipas raportimit të medias kroate, zjarri ka përfshirë edhe shtëpi e automjete, teksa thuhet se po dëgjohen shpërthime të bombolave të gazit që gjenden nëpër shtëpi.

Sipas Reuters, flakët përfshinë vendbanimet dhe pemët, ndërsa qielli mbi Omish u ngjyros i kuq gjatë natës. Qyteti piktoresk ndodhet në bregdetin dalmat të Kroacisë dhe është i rrethuar nga pyje dhe kodra shkëmbore, raporton Reuters.

N1 ndërkaq ka raportuar se rreth 19 persona janë trajtuar nga ekipet e emergjencës. Dy prej tyre, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda, janë dërguar në spitalin e Splitit, tha guvernatori i qarkut, Bllazhenko Boban.

“Ka qenë një natë jashtëzakonisht e vështirë. Situata është e ndërlikuar në zonën nga Lokva Rogoznica deri në Omish”, deklaroi shefi i zjarrfikësve, Sllavko Tucakoviq, për mediat lokale.

Gjithsej 157 zjarrfikës dhe 44 automjete zjarrfikëse luftuan me flakët gjatë gjithë natës, ndërsa në zonë u dërguan edhe përforcime nga disa qarqe të Kroacisë. Një pjesë e një prej rrugëve kryesore bregdetare në këtë zonë u mbyll.

Komuna hapi palestrën sportive si strehimore emergjente, ku gjatë natës u sistemuan rreth 1 mijë persona.

Ndërkohë, një anije e marinës kroate u vendos në zonë për të mundësuar evakuime nga deti, raportuan mediat lokale.

Moti i nxehtë dhe thatësira, të cilat shkencëtarët i lidhin me ndryshimet klimatike, kanë krijuar kushte ideale për përhapjen e zjarreve në të gjithë Evropën gjatë këtij sezoni veror, veçanërisht në Francë, Spanjë dhe Greqi. Edhe vendet e Ballkanit janë përballur me disa valë të të nxehtit. /