Gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri në Shqipëri, nga të cilat 10 mbeten aktive, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
“Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura – në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 47 automjete zjarrfikëse dhe 454 forca operacionale. Në mbështetje janë angazhuar gjithashtu 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë, avioni “Air Tractor” dhe 3 automjete zjarrfikëse të FA-së me personelin përkatës”, thuhet në njoftim.
Në zonën e Dajtit vijon operacioni nga toka dhe ajri, derisa bëhet e ditur se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në fshatin Priskë, bashkia Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore, as aty nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkaq, në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, zjarri po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së forcave nga toka dhe ajri.
Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës, Mjekësit dhe zonës së mbrojtur në malin e Valamarës. Vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Kostren 2, bashkia Berat, është riaktivizuar vatra e zjarrit dhe forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e saj. Ndërkohë, zjarret në Floq, bashkia Korçë, dhe në Shpërdhet-Drojë, bashkia Kurbin, janë shuar.
“AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin”, njoftoi ministria./A2Cnn








