Opinionisti Rrahman Paçarizi ka vlerësuar se sinjalet e fundit nga takimet ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, sipas tij nuk tregojnë se palët po diskutojnë për parime programore, por kryesisht për ndarjen e pozitave.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai tha se deklaratat e zyrtarëve të LDK-së pas takimit me kryetarin Lumir Abdixhiku lënë të kuptohet se ka një përafrim mes dy partive.
“Ka shenja që mund të ketë njëfarë përafrimi. Unë i shoh të tilla deklarimet e deputetëve të zgjedhur të LDK-së pas takimit të sotëm me kryetarin e tyre, z.Abdixhiku. Por, nuk mendoj që këtu flitet për parime. Këtu flitet vetëm për pozita”, deklaroi Paçarizi.
Sipas tij, nuk po shihet se ka parime dhe qëndrueshmëri, por sipas tij, ka pazare.
“Kjo kallëzon që ata nuk janë duke folur për parime. Ata janë duke u shtyer kush me marrë presidentin, cila parti, nëse i jepet LDK-së kush me qenë nga LDK-ja, a mund të jetë Vjosa Osmani”.
“Unë këtu nuk po shoh parime, kur nuk ka parime, nuk ka qëndrueshmëri, ka pazare. Pazaret edhe prishen. Domethënë hyrja në qeveri me gjasë mundet me qenë çështje pazarësh”, deklaroi Paçarizi.








