Kurti dhe Abdixhiku ende në takim, bisedimet kalojnë mbi dy orë (VIDEO)

Takimi mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po vazhdon për më shumë se dy orë brenda ambienteve të Kuvendit të Kosovës.

Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Bellagoshi, përmes një lidhje direkte tha se Abdixhiku në takim ka ardhur i shoqëruar nga ish-presidentja Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri, ndërsa Kurti shoqërohet nga ministri në detyrë, Hekuran Murati.

Takimi po zhvillohet me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për formimin e institucioneve të reja, përkatësisht për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të vendit.

Kurti më herët është shprehur se alternativa më e mirë është që Kosova të mos shkojë më në zgjedhje të reja gjatë këtij viti, raporton Klankosova.tv. Ai ka theksuar se angazhimi duhet të jetë i përbashkët për krijimin e institucioneve funksionale.

Palët pritet të diskutojnë mundësitë për tejkalimin e ngërçit politik dhe arritjen e një marrëveshjeje për hapat e ardhshëm institucionalë dhe të deklarohen pas takimit./Klankosova.tv