Nga Luca Calamai
Dhe në fund rikthehet Mancini. Siç ka shkruar drejtori i “Gazzetta dello Sport”, Stefano Barigelli, çështja morale, kur bëhet fjalë për trajnerin e kombëtares italiane, duhej të vlente për të gjithë.
Ka 25 milionë arsye për të mos e konsideruar Mancinin figurën e duhur për këtë rol. 25, sa milionat e “tradhtisë” që trajneri kreu duke braktisur Italinë dhe shkuar te sheikët. Nuk më intereson që ai kërkoi falje. Ishte e natyrshme. Besoj se e kuptoi pas pak javësh se kishte bërë një autogol të madh, por ajo zgjedhje absurde nuk mund të fshihet me disa fjalë.
Jam i befasuar që një drejtues i madh si Malagò ra në këtë gabim. Ndoshta pas dorëheqjes së Maldinit u gjend pa zgjidhje dhe nën presion për komisionim. Duhej të gjente menjëherë një rrugëdalje dhe e vetmja ishte miku Mancini.
Megjithatë, shpresoj që Mancini të jetë në gjendje të rindërtojë një kombëtare dinjitoze, të na çojë më në fund në Botëror dhe të shmangë rënien në “Nations League”. Jemi lodhur duke marrë goditje, ai duhet të ketë guximin të besojë te të rinjtë.
Jam i lumtur për rolin e Claudio Ranierit, “të urtit të madh” të futbollit italian. Ai mund të ndërtojë një projekt afatgjatë që nis nga sektorët e të rinjve, të cilët duhen riorganizuar. Ranieri ka ide të shkëlqyera dhe duhet t’i zbatojë me guxim.
Për çështjen “Pirlo” nuk hyj. Jam thellësisht i zhgënjyer nga Maldini. Brenda pak ditësh bëri disa gabime të mëdha: publikoi idenë “Guardiola” pa kontratë të firmosur, foli për kontakt me Ancelottin që ishte trajner i një kombëtareje tjetër dhe nuk arriti kompromis për një trajner tjetër përveç Pirlos apo Thiago Motta.
Maldini është shumë i ngurtë në mënyrën e tij të punës. Kërkon të komandojë në 101 për qind. Po, 101 për qind. Diçka e pamundur në çdo realitet ku ekziston një president.
The post Opinion / Mancini dhe 25 milionë arsyet për të mos e dashur si trajner të kombëtares italiane appeared first on Telesport.








