Lamtumirë 114 vite histori; gjykata i jep fund Brescias. Aty kanë luajtur Baggio, Guardiola, Pirlo, Tonali

Gjykata e Brescias ka vendosur likuidimin gjyqësor të klubit lombard, duke mbyllur një histori 114-vjeçare që u zhvillua mes Serie A dhe Serie B. Vendimi zyrtarizon zhdukjen e një prej klubeve më të njohura të futbollit italian, të mbytur nga borxhe, rreth 20 milionë euro, dhe probleme të shumta financiare.

Rënia e Brescias u përshpejtua rreth një vit e gjysmë më parë, pas parregullsive në pagesat e pagave dhe kontributeve. Hetimet sollën sanksione sportive, një penalizim prej 8 pikësh dhe më pas zbritjen nga kategoria. Klubi nuk arriti të regjistrohej në Serie C dhe humbi licencën federative, duke humbur çdo mundësi për të mbijetuar në futbollin profesionist.

As përpjekjet e pronarit Massimo Cellino për ristrukturim, as marrëveshjet me kreditorët, nuk e bindën gjykatën. Gjyqtarët vlerësuan se Brescia ishte në një “gjendje të qartë paaftësie paguese”.

Kjo është një goditje e madhe për futbollin italian. Në Brescia kanë luajtur figura si Roberto Baggio, Pep Guardiola dhe Andrea Pirlo, ndërsa aty u rrit edhe Sandro Tonali. Cellino reagoi me hidhërim: “Është thjesht një dënim. Nuk besoja se hidhërimi mund të mbizotëronte mbi arsyen”. Ai shtoi se kreditorët do të humbasin mbi 5 milionë euro.

The post Lamtumirë 114 vite histori; gjykata i jep fund Brescias. Aty kanë luajtur Baggio, Guardiola, Pirlo, Tonali appeared first on Telesport.