Më 16 janar 1978, një atentat tronditi Milanon dhe hapi një nga misteret më të errëta të botës kriminale italiane. Në rrugën Paisiello, një zonë rezidenciale pranë Viale Abruzzi, u gjetën të vrarë brenda një makine dy persona: krimineli i njohur Cosimo Tarallo dhe Amalia Luciana Zenari, e njohur nga të gjithë si Lia.
Një dëshmitar, portieri i një garazhi në të njëjtën rrugë, deklaroi se kishte parë të paktën tre persona pranë vendit të ngjarjes. Autorët, njëri prej të cilëve mbante një pallto të trashë gri për shkak të temperaturave nën zero, ekzekutuan atentatin dhe u zhdukën në errësirë, shkruan Corriere.
Tarallo, i njohur për grabitje, u qëllua katër herë në fytyrë, qafë dhe gjoks. Në sediljen e pasagjerit ishte Lia Zenari, e cila u vra me një plumb në fytyrë.
Por identiteti i gruas do t’i hapte hetimeve një histori shumë më të madhe: ajo ishte partnerja e dikurshme e një prej bosëve më të famshëm të krimit në Milano, Francesco “Francis” Turatello.
Lia Zenari ishte një modele dhe kërcimtare në klubet e natës. E rritur në lagjet popullore të Lorenteggio-s në Milano, ajo u bë pjesë e botës së luksit dhe krimit pasi u lidh me Turatellon.
Turatello, i lindur në Asiago dhe i rritur në Milano, ishte një figurë me shumë ndikim në botën kriminale të qytetit. Ai kishte nisur me vjedhje makinash, më pas ishte futur në kontrabandën e cigareve, baste dhe organizime të paligjshme. I njohur për karizmën dhe aftësinë organizative, ai ndërtoi një nga rrjetet më të fuqishme kriminale të kohës.
Lia nuk ishte thjesht partnerja e tij. Ajo konsiderohej bashkëpunëtore e afërt, kujdestare e arsenalit të armëve, e shoqëronte në udhëtime kriminale jashtë Italisë, siguronte alibi dhe e mbronte.
Megjithatë, marrëdhënia mes tyre përfundoi. Turatello kishte nisur një jetë tjetër dhe në një letër nga burgu kishte shkruar se donte t’i gjente djalit të tyre Eros “një nënë të pastër”.
Vrasja e Lia Zenarit, në moshën 35-vjeçare, mbeti një nga misteret e pazbardhura të historisë kriminale italiane.
Pak ditë para ekzekutimit, Lia ishte paraqitur në komisariat dhe kishte deklaruar se kishte informacione të rëndësishme për Turatellon. Ajo premtoi të zbulonte sekrete të botës së krimit, por më pas ndryshoi mendje dhe u largua.
Një nga pistat kryesore lidhej me luftën për pushtet brenda organizatës së Turatellos. Ish-bashkëpunëtori i tij, Angelo Epaminonda, po përpiqej të merrte kontrollin e rrjetit kriminal dhe kishte nisur eliminimin e njerëzve besnikë të ish-bosit.
Një tjetër teori ishte se Lia mund të ishte vrarë për shkak të ndonjë konflikti me persona të tjerë të botës kriminale, përfshirë edhe lidhjen e saj me Tarallon.
Por asnjëherë nuk u vërtetua nëse urdhri për vrasjen erdhi nga vetë Turatello apo nga rivalët e tij.
Historia e Lia Zenarit lidhet edhe me një kapitull më pak të njohur të kriminalitetit italian: gratë që kishin role aktive në organizatat kriminale.
Në atë kohë, në botën e krimit ato quheshin “bossesse”, gra që nuk ishin vetëm shoqëruese të bosëve, por shpesh kishin funksione të rëndësishme.
Lia ishte një prej tyre. Ajo ishte pjesë e drejtpërdrejtë e perandorisë së Turatellos, por pas rënies së tij humbi edhe fuqinë e saj. Largimi nga djali Eros dhe varësia ndaj alkoolit ndikuan në jetën e saj, e cila mori një kthesë tragjike.
Një nga detajet më të përfolura të historisë së saj ishte një tatuazh që Lia mbante në dorë për vite me radhë.
Ishte një emër me shtatë shkronja: Francis.
Një shenjë e dashurisë së saj për Turatellon, por edhe një kujtim që më vonë u përpoq ta hiqte nga lëkura.
Më 16 janar 1978, në rrugën Paisiello të Milanos, historia e Lia Zenarit përfundoi me një breshëri plumbash. Por pyetjet rreth vrasjes së saj vazhdojnë të mbeten ende sot pjesë e një prej mistereve më të mëdha të krimit italian.






