Henry kritikon Ronaldon: Kombëtares së Portugalisë i nevojiten gola, jo statistikat e tij

Barazimi 1-1 i Portugalisë ndaj Republikës Demokratike të Kongos në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026 ka ndezur debatet për rolin e Cristiano Ronaldos në kombëtare. Ndër kritikët më të ashpër ishte Thierry Henry, i cili nga studioja e “Fox Sports” akuzoi yllin portugez se po i jep përparësi golit personal mbi interesin e skuadrës.

Episodi që nxiti reagimin ndodhi në pjesën e dytë. Pas një aksioni të Francisco Conceição, topi shkoi te Bruno Fernandes, gati për të goditur, por Ronaldo ndërhyri në trajektore duke tentuar ta përfundonte vetë aksionin, pa gjetur portën.

“Ngaqë ai dëshiron të shënojë vetë me çdo kusht, futet në vijën e Bruno Fernandesit. Nëse do të pozicionohej në zonën e vogël, do të tërhiqte mbrojtësit dhe do t’i linte shokut një rast pothuajse të sigurt”, – deklaroi Henry.

Më pas shtoi: “Skuadra ka nevojë të shënojë, jo ti. Në atë situatë dy lojtarë portugezë sulmojnë të njëjtën hapësirë dhe kjo ua lehtëson punën mbrojtësve”.

Në moshën 41-vjeçare, Ronaldo mbetet titullar i padiskutueshëm për trajnerin Roberto Martinez, por ndaj Kongos regjistroi ndeshjen e dhjetë radhazi mes Botërorëve dhe Europianëve pa shënuar. Megjithatë, rekordmeni historik i Portugalisë me 143 gola do të ketë mundësi të reagojë në sfidat ndaj Uzbekistanit dhe Kolumbisë.

 

The post Henry kritikon Ronaldon: Kombëtares së Portugalisë i nevojiten gola, jo statistikat e tij appeared first on Telesport.