Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve (DSHB) kanë njoftuar se një i burgosur ka ndërruar jetë pas një rasti të vetëvarjes në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur sot në Pavijonin D, ku janë të vendosur personat me nevoja të veçanta. Zyrtarët korrektues kanë hasur në rastin e të burgosurit me inicialet K.N., i cili dyshohet se ishte vetëvarur.
Menjëherë pas evidentimit të rastit, zyrtarët korrektues dhe personeli mjekësor kanë reaguar me urgjencë, duke ofruar ndihmën e parë dhe duke e transportuar të burgosurin për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit korrektues dhe personelit shëndetësor, i burgosuri nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Për rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori kompetent, ndërsa SHKK-ja dhe DSHB-ja kanë bërë të ditur se janë iniciuar procedurat hetimore dhe administrative për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.








