Haaland tregohet modest: Unë, mbreti i golashënuesve? Kane dhe Mbappé kanë bërë më mirë

Erling Braut Haaland zgjodhi modestinë pas debutimit të shkëlqyer në Kupën e Botës. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, sulmuesi i Manchester City vlerësoi rivalët e tij. “Kane dhe Mbappé kanë bërë më mirë, nuk mund të them se jam më i miri. Unë jam thjesht Erling, një norvegjez që përpiqet të shënojë gola”, – u shpreh Haaland.

Me dopietën ndaj Irakut, sulmuesi norvegjez barazoi Kjetil Rekdal si golashënuesin më të mirë të Norvegjisë në historinë e fazave finale të Kupës së Botës. “Nuk besoj se ai mund të shënojë më, ndaj do të përpiqem ta kaloj”, – tha me humor “vikingu”, nga Bostoni.

Për Haaland, rikthimi i Norvegjisë në Botëror pas 28 vitesh ka një domethënie të veçantë: “Që kur jam pjesë e kombëtares, nuk ishim kualifikuar kurrë. Të luash në këtë fazë finale është diçka e veçantë për mua dhe për të gjithë vendin. Shpresoj që fëmijët norvegjezë ta kujtojnë përgjithmonë këtë përvojë”.

The post Haaland tregohet modest: Unë, mbreti i golashënuesve? Kane dhe Mbappé kanë bërë më mirë appeared first on Telesport.