Vlerësimi i pakove nga diaspora, KQZ-ja tregon arsyet e refuzimit të qindra prej tyre

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës.

Qëllimi është që të vërtetohet nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës.

Deri më tani nga pjesa më e madhe e pakove që janë sjellë në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 7 mijë, prej të cilave janë aprovuar 7,153, ndërkaq janë refuzuar 142.

Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 114 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ.

“Ky proces ka filluar më 9 qershor 2026, në orën16:00 dhe ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar votuesit e regjistruar. Në fund të këtij procesi të vlerësimit, KQZ do të publikojë të dhënat për mumrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, thuhet në njoftim.

“Gjatë ditës së hënë, më 8 qershor, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Tërheqja e pakove me fletëvotime është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellur në Kosovë”,  thuhet më tej.