Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që edhe për zgjedhjet e 7 qershorit të vazhdojë bashkëpunimin me kompaninë sllovene CETIS, e njëjta kompani që në zgjedhjet e fundit ishte përfshirë në një skandal lidhur me gabime në materialet zgjedhore dhe që prej vitesh po fiton kontrata për shtypjen e fletëvotimeve në Kosovë.
Ashtu si në rastet e mëhershme, edhe kësaj radhe KQZ ka përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, ndërsa në proces figuron vetëm një operator ekonomik.
Fillimisht, oferta e CETIS kishte arritur vlerën 418 mijë euro, por pas negocimit me KQZ-në, kompania ka ofruar një zbritje, duke bërë që çmimi final te jetë 342 mijë euro. Megjithatë, edhe pas kësaj uljeje, oferta rezulton dukshëm më e lartë krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale në Kosovë.
Për krahasim, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, kontrata për shtypjen e materialeve zgjedhore kishte kushtuar 279 mijë euro, ndërsa për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, KQZ kishte paguar rreth 275 mijë euro.
Kjo nënkupton se kontrata e re për zgjedhjet e 7 qershorit është rreth 63 mijë euro më e shtrenjtë se ajo e 9 shkurtit dhe mbi 66 mijë euro më e lartë se kontrata e dhjetorit.
Ajo që ngrit dyshime është fakti se bëhet fjalë për të njëjtën kompani, pothuajse të njëjtat produkte zgjedhore dhe të njëjtën procedurë të negociuar, ndërsa çmimi total ka shënuar rritje të konsiderueshme.
Në dosjen e tenderit të vitit 2026, objekt i kontratës mbeten sërish fletëvotimet, broshurat e kandidatëve dhe listat e votuesve. Elemente të ngjashme me kontratat e mëhershme të KQZ-së me CETIS-in. KQZ nuk ka publikuar një krahasim të detajuar që do të sqaronte se në cilat pozicione konkrete ka ardhur rritja e kostos.
Megjithatë, ajo që e bën edhe më të pazakontë këtë procedurë është mënyra se si ka rrjedhur procesi brenda vetëm një dite. Dokumentet zyrtare tregojnë se më 12 maj 2026, KQZ kishte anuluar aktivitetin e prokurimit, duke deklaruar se nuk ka pranuar asnjë ofertë, përkatësisht se numri i tenderëve të pranuar ishte zero. Vetëm një ditë më pas, më 13 maj, në sistem është publikuar njoftimi për anulim, ndërsa më 14 maj 2026, KQZ ka njoftuar se kishte arritur marrëveshje me kompaninë CETIS, duke e shpallur fituese të kontratës për shtypjen e materialeve zgjedhore. Te dy iniciativat kane qene me negocim.
Kjo kronologji ngre dyshime lidhur me mënyrën se si, pas një procedure të anuluar për mungesë ofertash, brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore është arritur marrëveshja me të njëjtin operator ekonomik. Veçanërisht kur bëhet fjalë për një procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit dhe për një kompani që prej disa proceseve zgjedhore po kontraktohet vazhdimisht nga KQZ.
Iniciativa për Progres -INPO është një organizatë që merret me monitorimin e prokurimit publik. Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Albulena Nrecaj, thotë se organizata ka identifikuar paqartësi në tenderin për shtypjen e fletëvotimeve. Sipas saj, tenderi i parë me vlerë 284 mijë euro ishte anuluar pasi nuk ishte pranuar asnjë ofertë, ndërsa vetëm pak ditë më vonë ishte iniciuar një procedurë e re për të njëjtin shërbim.
Nrecaj ngre dyshime edhe për mënyrën se si është paraqitur vlera e kontratës në dokumentacionin zyrtar. Sipas saj, në njoftimin për dhënie të kontratës figuron se oferta e pranuar ka qenë 418 mijë euro, shumë që tejkalon ndjeshëm vlerën e parashikuar të kontratës prej 284 mijë eurosh. Megjithatë, në një seksion tjetër të të njëjtit dokument thuhet se pas negociatave çmimi është ulur në 342 mijë euro.
Për të sqaruar rrethanat e kësaj kontrate dhe dallimet në çmime krahasuar me zgjedhjet e kaluara, Kiks Kosova ka dërguar pyetje edhe te kompania sllovene CETIS, por deri në momentin e transmetimit të emisionit, CETIS nuk ka kthyer përgjigje.
Kronika të përgatitura nga Kiks Kosova:









