Kandidati për kryeministër dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar tubimin e radhës zgjedhor në Rahovec, ku ka marrë mbështetje të madhe nga qytetarët e kësaj komune.
Duke folur para të pranishmëve, Abdixhiku e cilësoi Rahovecin si qytet të vreshtave, punës dhe krenarisë, ndërsa vlerësoi energjinë dhe përkushtimin e qytetarëve të kësaj ane.
“Qytetarët e Rahovecit, si njerëz punëtorë që janë, e dinë dallimin mes fjalëve dhe punës, mes premtimeve të thata dhe projekteve që ndryshojnë jetën e njerëzve”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se programi i LDK-së synon ta çojë Kosovën përpara përmes investimeve konkrete, mbështetjes së sektorit të bujqësisë, përmirësimit të infrastrukturës rrugore, arsimit dhe shëndetësisë, si dhe krijimit të mundësive që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.
Abdixhiku u zotua për realizimin e projekteve zhvillimore që, sipas tij, do ta transformojnë Rahovecin dhe gjithë Kosovën, duke theksuar se vendi ka nevojë për një shtet që punon për qytetarët dhe jo për propagandë.
“Me zemër plot dhe me besim të madh, nga Rahoveci po dërgojmë mesazhin se Lidhja po vjen”, u shpreh Abdixhiku.









