Vrasja e gangesterit serb: Iku nga burgu në Zvicër, u ekzekutua në qendër të Beogradit

Vrasja e para disa ditëve në qendër të Beogradit e Aleksandar Neshoviq është bërë temë e debateve në Serbi.

Për këtë vrasje të kryer në stilin mafioz kanë shkruar edhe mediat zvicerane, pasi gangsteri i njohur Neshoviq, ka rezultuar të ketë të kaluar kriminale edhe në Zvicër.

Neshoviq, u ekzekutua më 12 maj në restorantin luksoz “27” në Beograd nga një kundërshtar i tij.

Dy bosët e nëntokës, Sasha Vukoviq dhe Aleksandar Neshoviq, të cilët ishin në armiqësi me njëri-tjetrin, ishin ulur në të njëjtën tryezë për një takim pajtimi.

Ndërmjetësi i këtij takimi ishte askush tjetër veçse Veselin Miliq, shefi i policisë së Beogradit, i cili ishte ulur bashkë me ta.

Por skenari mori një rrjedhë të përgjakshme: Vukoviq dyshohet se qëlloi Neshoviqin me dy plumba në bark. Armën e krimit, pak përpara se të uleshin, ia kishte sjellë në restorant bashkëshortja.

Të nesërmen e krimit, partnerja e Neshoviqit e denoncoi atë si të zhdukur, ndërsa thashethemet për një vrasje të fshehur nga policia nisën të qarkullonin.

Autoritetet ndërmorën një valë arrestimesh: prapa hekurave përfunduan shefi i policisë Miliq, disa nga truprojat e tij, autori i dyshuar Vukoviq, bashkëshortja e tij, pronari i restorantit dhe një kamarier që kishte pastruar gjakun.

Shefi i policisë u shkarkua menjëherë nga detyra, shkruan “Blick”. Kufoma e viktimës u gjet nëntë ditë pas krimit, më 21 maj. Mbetjet e Neshoviqit ishin djegur dhe më pas ishin betonuar brenda një fuçie vaji për motorë.

Rasti ka ndezur debate pasi dëshmon lidhjen e ngushtë mes nëntokës dhe shtetit në Serbi.

Shefi i shkarkuar i policisë, Veselin Miliq, përpara se të merrte këtë detyrë, kishte shërbyer si këshilltar i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq

Nga ana tjetër, edhe vetë vrasësi i dyshuar, Sasha Vukoviq, kishte punuar dikur si polic.

Aleksandar Neshoviq nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë europiane.

Në vitin 2000, ai u bë protagonist i faqeve të para të gazetave zvicerane. Në mars të atij viti, si një 26-vjeçar, ai ishte arrestuar në Zürich për tregti droge. Pas gjashtë muajsh në paraburgim, ai organizoi një arratisje si nëpër filma, shkruan “Blick”.

Pasi u ankua për dhimbje dhëmbi, ai u dërgua më 5 tetor 2000 nga burgu në klinikën dentare të Universitetit të Zürichut. Sapo mbërriti, dy policët shoqërues u përballën me një person të armatosur dhe të maskuar, i cili i detyroi të shtriheshin në tokë.

Neshoviq, i lidhur me pranga në duar dhe këmbë, u arratis me ndihmën e bashkëpunëtorit në një makinë “Mercedes” të vjedhur, ku po prisnin edhe dy persona të tjerë.

Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme në Zürich konfirmoi se që nga ajo ditë, ai nuk ra më kurrë në duart e drejtësisë zvicerane.

Lidhja e gangsterit me Zvicrën mbeti aktive deri në vdekjen e tij. Pas lajmit për vrasjen, një influencuese e njohur mode me banim në Zürich, e cila numëron mbi 85,000 ndjekës në Instagram, bëri një postim publik ku mbante zi për Neshoviqin, të cilin e kishte kumbar të pagëzimit.

“Ike në një mënyrë që asnjë njeri nuk e meriton”, shkroi ajo në postimin që mori rreth 5000 pëlqime, duke e cilësuar si “një baba të dytë”. Pasi u kontaktua nga gazeta zvicerane “Blick”, influencuesja zgjodhi të mos përgjigjej dhe e fshiu menjëherë postimin nga rrjetet sociale.