Kandidatja për deputete nga LDK, Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka reaguar përmes një postimi publik duke ngritur shqetësime serioze lidhur me gjendjen në Klinikën e Onkologjisë në QKUK.
Sipas saj, pacientët me kancer po përballen me pritje të gjata që në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa shumë prej tyre udhëtojnë nga qytete të ndryshme të Kosovës, përfshirë Dragashin, Prizrenin, Pejën, Gjilanin dhe Gjakovën, për të marrë trajtim.
Ajo pretendon se, pavarësisht kësaj pritjeje, një pjesë e pacientëve përballen me mungesë të kimioterapisë, imunoterapisë dhe barnave esenciale në Onkologji.
Në reagimin e saj, Bunjaku-Rexhepi ka kritikuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministrin në detyrë Arben Vitia, duke thënë se deklarimet e institucioneve për mungesë të barnave nuk përputhen me gjendjen që, sipas saj, shihet në terren.
Ajo ka theksuar se situata reale në Klinikën e Onkologjisë, sipas pacientëve, është e rëndë dhe kërkon vëmendje urgjente institucionale.









