IKD ankohet në PZAP ndaj VV-së për përfshirjen e fëmijës në tubimin zgjedhor në Vushtrri

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), lidhur me përdorimin e një fëmije nën moshën 15-vjeç në tubim zgjedhor në Vushtrri.

Në ankesë thuhet se IKD-ja konsideron që LVV-ja ka shkelur Rregulloren Zgjedhore Nr. 07/2024 për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin e fushtatës së zgjedhjeve dhe deklarimin financiar, andaj ka kërkuar që t’i shqiptohet gjobë këtij subjekti politik,

IKD thekson se në atë video, kryetari i LVV-së, njëherësh kandidati për kryeministër Albin Kurti, i ka dhënë hapësirë në skenë vajzës së mitur, e cila recitoi poezi me mesazhe politike, derisa e mitura kishte veshur bluzë me logo të LVV-së.

“IKD ka shikuar video të atij këtij tubimi, në të cilën shihet se kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti, i jep hapësirë në skenë një vajze, e cila reciton poezi me mesazhe politike, duke pasur të veshur një bluzë me logo të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje. Nga pamjet audiovizuale duket të jetë se vajza në fjalë e përfshirë në aktivitet është fëmijë dhe paraqitet si person nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeçare”, thuhet në ankesë.

Andaj, marrë parasysh këto, IKD konsideron se LVV-ja ka shkelur Rregulloren Zgjedhire për fushatën zgjedhore, specifikisht dispozitën që përcakton se asnjë subjekt politik nuk mund të angazhojë persona nën 15-vjeç në fushatë zgjedhore./Klankosova.tv