Kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, ka zhvilluar sot një takim me veteranët e Komunës së Gjakovës, duke e cilësuar atë si një moment nderi dhe krenarie me njerëzit që, sipas tij, “i dhanë gjithçka lirisë së Kosovës”.
Në bashkëbisedimin me veteranët, Gjini vlerësoi sakrificën e brezave për liri dhe theksoi se Kosova tashmë ndodhet në një etapë të re, ku sfida kryesore mbetet zhvillimi ekonomik dhe fuqizimi i shtetit.
“Kosova jonë gjakun dhe lotët i ka dhënë me shekuj. Kemi dhënë gjak e kemi derdhur lot për breza me radhë. Tash, për ta jetësuar ëndrrën tonë të përbashkët për një Kosovë të fortë e të zhvilluar, na kanë mbetur vetëm djersa dhe mundi”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka theksuar se rruga drejt mirëqenies së qytetarëve kalon përmes zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe mbështetjes së sektorit privat, duke shtuar se vetëm një ekonomi e fortë mund të garantojë rritje dinjitoze të pensioneve, sigurisë dhe standardit të jetesës për qytetarët e Kosovës.
Takimi me veteranët e Gjakovës u fokusua edhe në nevojën për unitet dhe angazhim të përbashkët për ndërtimin e një shteti më të zhvilluar dhe më të sigurt./Klankosova.tv








