Ulutash vlerëson kontributin e Shqipërisë në misionin e KFOR-it në Kosovë

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, ka zhvilluar një takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, në selinë e KFOR-it në Camp Film City në Prishtinë.

Gjatë takimit u diskutua për situatën e sigurisë në Kosovë, aktivitetet aktuale të KFOR-it dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në kuadër të ruajtjes së stabilitetit në vend.

Sipas njoftimit, Ulutash prezantoi një pasqyrë të gjendjes aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe prioritetet kryesore të misionit për periudhën e ardhshme.

Në takim, komandanti i KFOR-it vlerësoi kontributin e vazhdueshëm dhe të rëndësishëm të Shqipërisë në kuadër të misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, KFOR-i ritheksoi se vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet dhe përgjegjësitë e tyre për garantimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit në vend.