Sveçla: Nuk po bëjmë fushatë me marrjen nën kontroll të stacionit në Zveçan

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se aksioni për vendosjen nën kontroll të stacionit hekurudhor në Zveçan nuk lidhet me hapjen e fushatës zgjedhore.

Autoritetet e Kosovës, me praninë e tre ministrave në detyrë, morën mëngjesin e sotëm nën kontroll stacionin hekurudhor në Zveçan, ku hoqën mbishkrimin cirilik në objektin e stacionit dhe e zëvendësuan atë me një tabelë ku shkruhet ‘Republika e Kosovës’.

I pyetur nga gazetarët nëse nëse veprimi lidhet me fillimin e fushatës zgjedhore, Sveçla e hodhi poshtë atë.

“Jo, kjo është pjesë e detyrës sonë për të siguruar që ligji dhe rendi të jenë të pranishëm kudo, përfshirë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Ky është një nga institucionet e fundit që ende funksiononte nën strukturat paralele, të paligjshme të Serbisë”, tha Sveçla.

Ai shtoi se çdo institucion që vlerësohet si “i paligjshëm dhe paralel” do t’i nënshtrohet veprimeve nga autoritetet kompetente.

Kur u pyet për të ardhmen e stacionit hekurudhor, duke pasur parasysh që treni nuk ka qenë në qarkullim prej vitesh, Sveçla tha se objekti është pjesë e një rrjeti më të gjerë. /Paparaci.com