Vuçiq: Perëndimi nuk dëshiron ta lehtësojë pozitën e serbëve në Kosovë

Në vazhdën e propagandës tashmë botërisht të njohur, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk pret që Perëndimi dhe veçanërisht Evropa “të bëjnë diçka për ta lehtësuar situatën e serbëve në Kosovë”.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se çfarë i pret serbët në Kosovë deri në zgjedhje, duke pasur parasysh se në fillim të fushatës parazgjedhore institucionet kosovare i morën stacionet hekurudhore në Zveçan dhe në Leposaviq, Vuçiqi ka thënë se “i pret vuajtje, ashtu si edhe pas zgjedhjeve që do të mbahen më 7 qershor”, transmeton Paparaci.

“I pret vuajtje, ashtu si edhe pas zgjedhjeve. Po përpiqemi të ndihmojmë aq sa mundemi në këto kushte, gjë që nuk është shumë, ndërsa zgjidhja nuk është në braktisjen e vatrave tyre”, ka thënë Vuçiqi siç transmetojnë mediat serbe.

Ai gjithashtu ka shtuar, se “sikur Perëndimi dhe Evropa të kishin dashur, ata do t’i kishin detyruar “autoritetet e përkohshme të Prishtinës” që ta formonin Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

“Atëherë nuk do të kishim asnjë nga këto probleme. Nuk deshën. Me qëllim deshën të shkaktonin tensione dhe dëshironin përndjekjen e popullatës serbe. Ata kënaqen me këtë. Po të ishte e kundërta, do të na kishin bombarduar prej kohësh, madje për gjëra shumë më të vogla na bombarduan në vitin 1999. Por si t’ju them, kjo është diçka që duhet ta mbajmë si barrë mbi shpinë dhe të presim një moment më të favorshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare kur Marrëveshja e Brukselit të mund të zbatohet dhe kur të mund të respektohet Karta e Kombeve të Bashkuara”, ka përfunduar Vuçiqi propagandën e tij boshe./Paparaci.com