“E turpshme”, Bajrami akuzon qeverinë për keqpërdorim të buxhetit në prag të zgjedhjeve

Kandidatja për deputete nga LDK, Hykmete Bajrami, ka akuzuar qeverinë për keqpërdorim të buxhetit në prag të zgjedhjeve, duke thënë se po ndahen 2 milionë euro për linjat ajrore që i shërbejnë mërgatës, për përfitime elektorale.

Ajo u shpreh se këto mjete janë para të qytetarëve që po përdoren në mënyrë të padrejtë dhe me qëllim ndikimi në vota.

“E turpshme. E papranueshme. Keqpërdorim klasik i buxhetit në kohë zgjedhjesh. Para një jave ndau rreth 100 milionë euro. Sot edhe 2 milionë të tjera për bileta. 100-she, 500-she, subvencione e bileta – krejt këto jo pse Kurti brengoset për ju, po sepse ju votoni me 7 qershor. Mos harroni: këto janë paratë e rrugëve që nuk u kryen, shkollave e çerdheve që nuk u ndërtuan, digjitalizimit të arsimit që nuk nisi asnjëherë, barnave që mungojnë në spitale dhe naftës që e keni paguar më shtrenjtë”, shkroi ndër tjerash ajo.