Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Arben Gega ka kritikuar ashpër Albin Kurtin dhe qëndrimet e zyrtarëve të partisë së Vetëvendosjes se Shtëpia e Bardhë nuk ka ndonjë ndikim për Kosovën.
Në emisionin “VV Show” me Vehbi Kajtazin dhe Visar Ymeri, Gega ka thënë se VV-ja e prirë nga Kurti nuk ka lidhje me qeverisjen dhe se që prej ardhjes në pushtet ka bërë përpjekje të degradojë Kuvendin duke bërë deputetë si Agim Bahtirin e Dimal Bashën.
Ai ka shtuar se Kurti synon regjimin autokratik në Kosovë.
“Këta nuk dinë çka është parlamenti, institucioni i shtetit, mendojnë se kanë ardhur si baksish. Kurti e len pikëpamjen e autokratit dhe në atë drejtim që është duke shku e ka synim autokracinë. Kosova me u var prej një njeri, jo Kosova është vend demokratik. Çfarë kërcënimi banal bën duke thënë se “nëse nuk i marr 80 deputetë, prapë kemi me shku në zgjedhje. Kush je ti o vlla? A je profet a çka je?”, ka thënë Gega.
Sipas tij, Kosova nuk guxon të kalojë në regjim autoritar teksa ka kritikuar edhe qasjen që kishte pushteti i Kurtit kundër SHBA-së.
“Nuk guxon Kosova të rrëshqasë në autokraci, por besoj se në Parlament nuk do të lejohet dhe Kosova nuk guxon të rrëshqas në demokraci. Këta e kanë kriju një perceptim edhe të të rinjtë siç thojke Dimal Basha: çka ka rëndësi Shtëpia e Bardhë? Kush jemi be ne që të mos ketë rëndësi Shtëpia e Bardhë. Na nuk ekzistojmë pa Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Gega.









