Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së tij në Kinë, e pranoi në takim kryeministri Li Qiang, si dhe kryetari i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, Wang Huning. Pas takimeve, ai theksoi se në këto bisedime është konfirmuar mbështetja e ndërsjellë e Serbisë dhe Kinës lidhur me çështjen e Kosovës dhe Tajvanit, transmeton Paparaci.
“Biseduam për bashkëpunimin tonë në kuadër të institucioneve shumëpalëshe, para së gjithash në Kombet e Bashkuara, dhe u konfirmua mbështetja e ndërsjellë për politikat e Kinës dhe Serbisë lidhur me Tajvanin dhe Kosovën e Metohinë. Diskutuam edhe për mënyrën se si të bashkëpunojmë sa më mirë”, ka thënë Vuçiqi para gazetarëve në Pekin./Paparaci.com









