“Ky është budallallëk, krijon përtaci”, Gega thotë se punëtorët humbasin rrogën 700 euro për 100 euro social të shtetit

Arben Gega, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje dhe konceptin e tyre për shtresën sociale dhe sektorin privat.

Gega këtë e ka theksuar në emisionin “Podcast me Shkëlzen Dakaj”, ku tha se ministri i financave, edhe pse kapitalist në investime të veta si Tesla, nuk ka dhënë udhëzime reale për qytetarët, por ka folur për barazi sociale, duke zbatuar urdhrat e partisë dhe liderit.

Gega ka kritikuar shpërndarjen e njëqind eurove për shtresën sociale si një masë që ka shkaktuar dëm në sektorin privat, ku punëtorët humbasin rrogën e tyre të rregullt – deri në 700 apo 500 euro – për të marrë këtë përfitim.

“Po tash më nuk është me zbatu ata çka menojnë, me menduar me mendet vet, unë besoj që ka edhe në Lëvizjen Vetëvendosje njerëz të mënqur dhe të mirë. Për shembull, e ki ministrin e financave. Ai në ekonominë e vet është kapitalist, sepse del që ka investuar në Tesla… – ai nuk vjen me na kallxu neve se si duhet me investu nëpër aksione apo kompani. Ndryshe, po vjen e luan socialistin, këtu të flet për barazi sociale. Po ti aty e sheh, ai nuk po të flet, nuk po të flet vet, por është duke folur urdhrat se çfarë i ka marrë. Konceptin e partisë ai e zbatuan edhe të liderit të tyre. Përndryshe, ai di vetë që duhet të jetë kapitalist, të investojë, të blejë aksione dhe të ketë të ardhura vjetore. E pse populli jonë po do të jetë shtresë sociale, të marrë njëqind euro? Ka na qon kjo punë”, ka deklaruar Gega.

Ai ka përshkruar këtë si një lloj budallallëku që ka krijuar pasiguri dhe demotivim tek qytetarët, duke treguar se koncepti i Vetëvendosjes për shtetin nuk është që paratë të merren pa punuar.

“Kjo është mburrje me budallaki, sepse ka shkaktuar tash edhe te ne, te sektori privat, ku punëtorët që marrin njëqind euro sociale i ndërpresin kontratën e punës. Domethënë, i humb rrogën e tyre, shtatëqind euro, pesëqind euro rrogë të rregullt për të marrë qato socialë. Domethënë, këta kanë shkaktuar një lloj budallallëku që te njerëzit ka ndikuar për të krijuar pertaci më shumë, për të krijuar dëmeli më shumë, që njerëzit të mësojnë se shteti po jep, edhe pa punuar. Kjo nuk ka qenë koncepti ynë i shtetit; nuk ka qenë që pa punuar të marrë para.”, ka thënë tutje Gega.

Ndryshe Arben Gega garon për deputet me numrin 68 nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e 7 qershorit.