Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka njoftuar se këtë të diel do të udhëtojë për në Cyrih të Zvicrës.
Atje, Osmani bën të ditur se do të takohet me mërgatën shqiptare me fillim nga ora 14:00.
“Të dashur motra e vëllezër në Zvicër. Ka disa rrugë që nuk maten me kilometra, janë rrugët e mallit, sakrificës dhe dashurisë për vendin”, tha ajo.
“Janë rrugët që ju kanë larguar nga Kosova, por që zemrën tuaj e kanë mbajtur gjithmonë pranë saj. Për vite me radhë ju nuk e keni harruar Kosovën asnjë ditë. E keni mbajtur gjallë me punën tuaj, me djersën tuaj, me kujdesin për familjet, dhe me besimin se një ditë vendi ynë do të bëhet ashtu siç e kemi ëndërruar të gjithë”, tha Osmani.
Në këtë udhëtim, Osmani do të shkojë bashkë me kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhikun.
“Ejani dhe bashkohuni, të flasim për Kosovën që duam t’ua lëmë pas fëmijëve tanë”, bëri thirrje ish-presidentja.









