Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Bardhyl Hasanpapaj, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në raport me integrimin evropian të vendeve të rajonit, duke theksuar se Kosova po mbetet prapa në proceset drejt Bashkimit Evropian.
Përmes një postimi publik, Hasanpapaj ka deklaruar se derisa Kosova ende nuk ka status zyrtar të vendit kandidat dhe vazhdon të mbetet e bllokuar financiarisht, Bashkimi Evropian po harton traktatin e anëtarësimit për Malin e Zi dhe ka ndarë 158.9 milionë euro për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në kuadër të Planit të Rritjes.
Ai ka vlerësuar se vendit i duhet urgjentisht një qeveri e re që, sipas tij, do ta afrojë Kosovën me BE-në, do ta zhbllokojë financiarisht dhe do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kosova nuk ka më kohë për të humbur”, ka shkruar Hasanpapaj.








