Kandidati për deputet dhe anëtar i kryesisë së Listës Serbe, Igor Simiq, ka deklaruar se kjo parti ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e hodhi poshtë ankesën e saj lidhur me certifikimin e kandidatëve nga lista e Nenad Rashiqit, të cilët nuk i përkasin komunitetit serb, për vendet e rezervuara për serbët.
“Këtë herë edhe më ashpër, përmes një precedenti ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi persona që ndodhen në listën e kandidatëve të, sipas tij, “të preferuarit të Prishtinës”, Nenad Rashiq, dhe që nuk i përkasin popullit serb. Në këtë proces zgjedhor, Prishtina lejoi që persona që i përkasin komunitetit boshnjak dhe malazez të kandidojnë për vendet që sipas Kushtetutës janë të rezervuara për serbët”, ka pretenduar Simiqi në një postim në Instagram, transmeton Paparaci.
Simiqi ka thënë se PZAP, si arsye për refuzimin e ankesës së Listës Serbe, ka përmendur faktin se kjo parti nuk ka ofruar prova bindëse që Alil Gjerllek i përket një kombësie tjetër dhe jo asaj serbe, si dhe Llazar Radulloviq, i cili publikisht është deklaruar si pjesëtar i popullit malazez dhe ka qenë edhe kryetar i Shoqatës së Malazezëve në Kosovë.
“Në këtë mënyrë dikush dëshiron t’ua pamundësojë serbëve që vetë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre politikë, që të kenë atë që u garantohet me Kushtetutë, pra vendet e rezervuara në parlament, dhe që këto t’u mundësohen pjesëtarëve të ndonjë komuniteti tjetër”, ka pretenduar ai.
Simiqi gjithashtu i bëri thirrje Radulloviqit dhe Gjerllekut të deklarohen nëse është e vërtetë ajo që pretendon Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, përkatësisht nëse Lista Serbe gabon kur thotë se ata nuk janë pjesëtarë të komunitetit serb./Paparaci.com









