Hapet unaza e brendshme e Prishtinës, premtohet lehtësim i trafikut

Sonte është bërë hapja e unazës së brendshme të Prishtinës, ku përveç kryetarit të komunës, Përparim Rama, pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku dhe kandidatja për presidente nga kjo parti, Vjosa Osmani.

Rama u shpreh se ky është një projekt madhor dhe se ndihmon shumë trafikun e kryeqytetit.

“Është një projekt madhor për kryeqyetin, që jemi duke punuar qe një kohë goxha të gjatë dhe sot po e bëjnë hapjen. Përveç asfaltimit, është edhe ndriçimi dhe pjesët për këmbësorë”.

“Është një aks kyç për kryeqytetin, pra unaza e brendshme, e cila ka me i ndihmu shumë edhe trafikut në kryeqytet. Tash do të bëjmë pak një ndryshim të lëvizjes së trafikut, si rezultat i këtij projekti të madh, i cili do t’i ndihmojë shumë trafikut në këtë pjesë të kryeqytetit”, u shpreh kryetari Rama.

Se qarkullimi do të jetë më i lehtë në Prishtinë, pas përurimit të kësaj unaze, e tha edhe Osmani.

“Kjo është një e arritur që tregon se kur punohet, kur ka vizion, kur ka projekte, qytetarëve të Prishtinës dhe të gjithë Kosovës u lehtësohet jeta. Ky është një prej projekteve që vërtetë e lehtëson qarkullimin në Prishtinën tonë”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, Abdixhiku u shpreh i lumtur për këtë projekt, por premtoi mbështetje për unazën e jashtme të kryeqytetit.

“Jam i lumtur për këtë projekt kapital, si shenjë ikonike e Prishtinës, sepse unaza e brendshme e kryeqytetit, zgjidh shumë probleme të brendshme të qytetit, por le ta themi qartë se pa unazën e jashtme të kryeqytetit, Prishtina ende është mangu. Do të mbështetim unazën e jashtme të kryeqytetit”, tha ai.